Arabia Saudite, rezolutë për njohjen e Kosovës nga 19 vende
Arabia Saudite u ka propozuar një rezolutë për Kosovën, vendeve anëtare të organizatës së Konferencës Islamike që do të zhvillohet edhe sot në Damask. Në këtë rezolutë propozohet që vendet anëtare të kësaj konference ta njohin menjëherë pavarësinë e Kosovës, të cilën Serbia nëpërmjet aksioneve diplomatike po mundohet ta pengojë. Në takim është kërkuar nga 19 vende të Konferencës Islamike që ta njohin menjëherë pavarësinë e Kosovës. Siç raportojnë mediat serbe, Beogradi zyrtar po mundohet që t’u propozojë vendeve anëtare të konferencës islamike, një amendament që ta ndryshojnë rezolutën e Arabisë Saudite, në mënyrë që nga ai tekst të hiqet kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas agjencisë serbe të lajmeve “Fonet”, në Ministrinë e Jashtme të Serbisë është thënë se Vuk Jeremiç ka dy ditë që ka biseduar me 15 shefa të diplomacisë së vendeve anëtare të konferencës për këtë çështje.
25 Maj 2009