E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këler rizgjidhet president i Gjermanisë



Horst Këler rigjidhet President i Gjermanisë. Ai u zgjodh me 613 vota pro në Asamblenë Federale e përbërë nga 1224 deputetë. Roli i Presidentit në Gjermani është ceremonial. Rivalja kryesore e Këler në këtë garë ishte akademikja Gesin Shvan, e cila mori 503 vota. Fitorja e tij konsiderohet një sukses për kancelaren gjermane Angela Merkel, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që parashikohet të zhvillohen në muajin shtator. Këler është anëtar i CDU-së, Partisë Kristiandemokrate të Merkelit. Në përfundim të votimit Këler u largua i lehtësuar kur dëgjoi rezultatin për të vijuar me fjalën e tij të falenderimit: “Vendi ynë është në një krizë që ka kapur gjithë botën, por Gjermania është e fortë”,- tha ai. Rivalja Shvan, e cila garonte për herë të dytë kundër Këlerit, arriti të merrte vetëm 503 vota, megjithëse teorikisht me votat e socialdemokratëve dhe të të gjelbërve mund t’i fitonte të paktën 514.

Bocevski: “Maqedonasit pa viza në BE, nga 1 janari”

Qytetarët e Maqedonisë mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Europian nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Zëvendëskryeministri Ivica Bocevski bëri të ditura procedurat pas raportit pozitiv të Komisionit Europian, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Maqedonisë. “Në rastin më pesimist, procesi do të përfundonte në fund të nëntorit, ndërsa me optimizëm kjo pritet të përfundojë në fund të shtatorit, me qëllim që në fillim të vitit të ardhshëm, qytetarët e Maqedonisë të udhëtojnë pa viza në vendet anëtare të marrëveshjes së Shengenit”,- bëri të ditur Bocevski. Të hënën fillojnë konsultimet mes vendeve të BE-së lidhur me këtë çështje. Komisioni Europian duhet të propozojë ndryshime ligjore dhe të rregullativës duke i mundësuar Maqedonisë hyrjen në Shengen. Më pas Parlamenti Europian jep opinionin duke i hapur rrugë ratifikimit të vendimit nga Këshilli i Ministrave.

Vetëvritet ish-presidenti koreano-jugor, akuzohej për korrupsion

Ish-presidenti koreano-jugor, Roh Mo-hyun i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga maja e një mali pranë shtëisë së tij. Presidenti Le Myung-bak foli për tronditjen që ndjeu pas lajmit të hidhur. Ai tha se vdekja e zotit Roh, që ishte president i Koresë së Jugut për pesë vjet deri në 2008, ishte e pabesueshme. Autoritetet koreane thanë se ai kishte lënë një letër vetëvrasjeje. Zoti Roh vinte nga një familje e thjeshtë fermere dhe nuk shkoi as në kolegj për të studiuar, por arriti të zërë postin më të lartë në vend bazuar në një platformë për një qeveri të pastër dhe pajtim me Korenë e Veriut. Në muajt e fundit, emri i tij u përmend dhe përfshi në akuza për korrupsion, por ai gjithmonë i ka hedhur poshtë akuzat.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›