E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidat e EULEX-it në veri, parandalimi i krimit dhe kontrabandës



Forcimi i ligjit të misionit të BE-së EULEX në Kosovë është shoqëruar me protesta të serbëve në veri të vendit të cilët pretendojnë që misioni t’i konsultojë paraprakisht për çdo veprim. Qindra serbë kanë bllokuar për një orë rrugën Zubin-Potok dhe për këtë arsye u morën masa të rrepta sigurie të forcave policore. EULEX-i, kohët e fundit ka zbatuar planin për fotokopjimin e dokumentave të personave që kalojnë në pikat 1 dhe 31. Të gjitha këto veprime kanë si qëllim të ndalojnë kontrabandimin e mallrave që kalojnë nga Serbia në Kosovë nëpërmjet këtyre dy pikave. Malli regjistrohet dhe nuk zhdoganohet, në të shumtën e rasteve, me të hyrë në pjesën veriore, ai përfundon si mall i kontrabanduar. Kjo e ka shtyrë EULEX-in që të ndërmarrë masa shtesë. Zëdhënësja e misionit, Karin Limdal, shpjegon: “Natyrisht që njerëzit kanë të drejtë demokratike për të shprehur opinionet e tyre përmes protestave paqësore. Me sa kam kuptuar, protesta e fundit ka të bëjë me masat e zbatuara në portën 1 dhe 31, edhe pse këto masa janë ndërmarrë në koordinim të ngushtë me Doganat e Kosovës, por edhe me ato të Serbisë, duke i informuar ata për hapat që po ndërmarrim. Të gjithë këta hapa, në fakt, janë ndërmarrë për të parandaluar kontrabandën dhe krimin e organizuar në Veri. Ky veprim është në të mirë të Serbisë, Kosovës, por edhe të të gjithë njerëzve që jetojnë në veri”,- tha Limdal. Ndërkohë sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, thotë se protesta të tilla marrin shkas nga bashkëpunimi i dobët i EULEX-it me serbët lokalë. “Përsa i përket kufirit apo kontrolleve në kufi, duhet të lajmërohemi përpara dhe të mos shkaktohet situatë rrëmujë. Asnjëra palë nuk duhet të ndërmarrë hapa që do ta befasojnë palën tjetër. Vetëm në këtë formë mund të llogarisim në partneritet”,- tha Ivanoviç. Shtrirja e misionit europian për sundimin e ligjit, vitin e kaluar, nuk është pritur mirë në pjesën veriore të Kosovës. Edhe pse drita jeshile për vendosjen e tij është dhënë nga Beogradi zyrtar, ka pasur disa raste sulmesh ndaj EULEX-it në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, siç ishte para disa kohësh edhe djegia e automjeteve të këtij misioni. “Të gjithë e dimë se ka aktivitete kriminale në veri. Nuk do të isha e befasuar nëse këto elemente kriminale janë të ndërlidhura me aktet kundër EULEX-it”,- thotë zëdhënësja Limdal, e cila, pavarësisht kësaj, vlerëson se raportet mes këtij misioni dhe serbëve janë në nivel të duhur.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›