Aragones abuzon me gazetarin pas shkarkimit nga Fenerbaçe
Një gazetar i "guximshëm" bëri shumë gabim që tentoi të pyeste Luis Aragones rreth shkarkimit nga posti i trajnerit te Fenerbaçe. Sapo u kthye në Spanjë nga Turqia, trajneri veteran tregoi se nuk ishte në humorin e duhur për t‘iu përgjigjur "ngacmimeve" të mediave. Në momentin kur reporteri i televizionit "Antena 3" u afrua, duke menduar se strategu i triumfit të iberikëve në Euro 2008 do të fliste, Aragones e kapi nga veshi. I njohur për shpërthimet emocionale, tekniku filloi të bërtiste, duke lënë të kuptohej se pyetjet rreth aventurës te Fenerbaçe nuk ishin të mirëpritura. "Ik p… more hajvan", ishin fjalët e përdorura prej tij ndaj gazetarit. "Qenke komplet idiot". Vetëm pas një sezoni, gjatë kësaj jave, Aragones u shkarkua zyrtarisht nga detyra në klubin e mirënjohur të Superligës turke. Fenerbaçe e mbylli kampionatin në vendin e katërt, ndërsa titulli u fitua nga rivalët e Beshiktashit. Emri i 70-vjeçarit është lidhur me përfaqësuesen e Belgjikës, por nga ajo që u pa në aeroportin e Barajas, ai nuk kishte dëshirë t‘u përgjigjej pyetjeve.