Maks Mosli nuk tërhiqet: Rregullat i vendos unë
Maks Mosli reagon pas kushteve të skuadrave të FOTA-s dhe rikthehet t‘i vërë nën presion ato: "‘Pakti i Concordia‘-s nuk mund të firmoset para 12 qershorit. Nuk është kërkesë realiste". Nga faqet e revistës "Motorsport Aktuell", presidenti i FIA-s u është kundërvënë kushteve të skuadrave të Formula 1, të cilat të premten e shkuar vendosën të regjistroheshin në botërorin e ardhshëm, por me kusht që të përdoret sërish rregullorja e 2009 dhe nënshkrimi brenda 12 qershorit të ‘Paktit të ri të Concordia‘-s, i cili përkufizon rregulloren dhe parametrat ekonomike të F.1. "Tani kemi një konflikt, të shohim se kush do të lëshojë pe", ka thënë Mosli, i cili nuk tërhiqet: "Unë them: nëse dëshironi t‘i bëni ju rregullat, atëherë organizoni kampionatin tuaj botëror. Por Formula 1 është e jona, ne i bëjmë rregullat. Kemi filluar 60 vite më parë dhe do të vazhdojmë kështu". Ndërkohë, presidenti mendon se kërcënimi i skuadrave u bë për të ngadalësuar regjistrimin e ekipeve të reja. Në sezonin e ardhshëm do të garojnë 13 skuadra.