E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Portugalinë? Me dy sulmues e rrezikojmë më shumë

Skela: Të bëjmë një ndeshje të madhe

Mesfushori rrëfen se "ndaj Portugalisë nuk do të luajmë vetëm në mbrojtje"

Vetëm dy ditë na ndajnë nga ndeshja me Portugalinë të shtunën. Edhe pse do të ndeshemi me një nga skuadrat më të frikshme të Evropës, me shumë yje dhe të motivuar në maksimum për të marrë fitoren në "Qemal Stafa" ndaj Shqipërisë, kjo nuk e zbeh entuziazmin e kuqezinjve, të cilët i lehtëson shumë fakti se tashmë janë jashtë objektivave dhe në këtë ndeshje nuk kanë se çfarë të humbasin. Ardhja e Josip Kuzhesë në krye të Kombëtares i ka frymëzuar edhe më shumë shqiptarët, të cilët synojnë që ndaj luzitanëve të bëjnë një ndeshje të madhe. Këtë e konfirmon edhe një ndër "veteranët" e listës aktuale të Kombëtares, Ervin Skela (me më shumë ndeshje me bluzën kuqezi, 61). "Kuzhenë e njoh prej kohësh si trajner, pasi kemi qenë në të njëjtën skuadër në Bundesligën 2 te Kemnitcer. Gjatë këtyre ditëve ai na ka përcjellë mendimet e tij për futbollin, për mënyrën se si dëshiron ai që të luajmë. Shpresojmë që të shtunën të shpalosim atë futboll që dëshiron Kuzhe", pohon Skela. Fantazisti konfirmon respektin për kundërshtarin, por beson se së bashku me shokët e skuadrës mund t‘i përgatisin një surprizë portugezëve. "Dihet, emri i Portugalisë është shumë i madh. Shpresojmë që të shtunën të zhvillojmë një ndeshje të madhe, siç kemi bërë shpesh ndaj ekipeve me emër. Kam besim se edhe me ndihmën e publikut, do të arrijmë rezultat pozitiv", shton Skela. Ai e di mirë se nuk do të jetë aspak e lehtë. "Barazimi me Portugalinë në Braga ishte një ngjarje historike, sikurse fitorja me Greqinë, që s‘kanë për t‘u harruar kurrë. Por portugezët na nënvlerësuan paksa. Ndërsa kjo do të jetë një ndeshje krejt ndryshe. Ata do ta marrin me seriozitet të madh, për të mos përsëritur gabimin që bënë në Portugali. Ky është shansi i tyre i fundit për të arritur në Botëror", nënvizon mesfushori. Edhe pse nuk e ndihmoi dot Kotbuzin të qëndronte në Bundesligë, Skela ka demonstruar një formë shumë të mirë në këtë fund sezoni. Prandaj ai mund të jetë një ndihmesë e madhe të shtunën ndaj luzitanëve. "Do të luajmë shumë edhe në mbrojtje, por duhet të sakrifikojmë të gjithë edhe kur të kemi mundësi për të sulmuar. Kjo mënyrë loje kërkon impenjimin e të gjithë lojtarëve, që nga sulmuesit e deri te mbrojtësi i fundit. Është e sigurt që në shtëpinë tonë nuk mund të mendojmë vetëm si të mbrohemi. Do të kërkojmë shfrytëzimin e kundërsulmeve, për t‘i vënë në vështirësi mbrojtësit e Portugalisë, pse jo edhe të shënojmë", vazhdon më tej lojtari, i cili pritet të luajë si gjysmësulmues pas Bogdanit në skemën 4-4-2 të Kuzhesë. Skela, me 11 gola të shënuar me bluzën kuqezi, është golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në aktivitet dhe i katërti në renditjen e të gjitha kohërave pas Bushit (14) dhe Rrakllit (11) e Tares (11).

Renditja e FIFA-s

Shqipëria nuk e ka ndryshuar pozicionin e saj në renditjen e FIFA-s për muajin maj, duke qëndruar në vendin e 92-të në kuotën e 400 pikëve. Renditen e kryeson Spanja me 1761 pikë dhe pas saj pozicionohet Holanda e Gjermania, që kanë ndërruar vendet

Optimizmi

Pas sfidës së të shtunës, 32-vjeçari gati për të marrë pushimet në Amerikë si Maldini, Nesta e Materaci

Erjon Bogdani: Me dy sulmues e

rrezikojmë më shumë Portugalinë

Forma e mirë që ka kaluar me Kievon në Serinë A i ka siguruar një fanellë kuqezi. Mungesat me Hungarinë dhe Danimarkën janë hedhur pas shpine, por Erjon Bogdani nuk mban mëri me ish-trajnerin Ari Han. Natyra dhe profesionalizmi nuk e lejojnë që të shfrytëzojë rastin, për të goditur holandezin pas dështimeve të njëpasnjëshme në krye të Kombëtares. 32-vjeçari nuk ia faturon Hanit të gjithë fajin për rezultatet e këqija në eliminatoret e Botërorit 2010, por e shpërndan edhe te skuadra. Në anën tjetër, "Er-Bomber" beson se me Josip Kuzhe, tashmë Shqipëria do të ketë një skuadër më ofensive. Tekniku kroat konfirmoi formacionin 4-4-2 dhe sipas veteranit, kjo i jep më shumë mundësi sulmuesve për të rrezikuar portën e portugezëve. "Kombëtarja vuan mungesën e golave? Kjo është e vërtetë, gjithsesi nuk më pëlqen të flas për trajnerin e parë. Kur u emërua te Shqipëria, Han premtoi se skuadra do të ishte ofensive, por në ndeshjet e zhvilluara deri më tani kjo nuk ndodhi", deklaroi Bogdani. "Kemi luajtur pak në sulm dhe natyrisht që janë krijuar pak raste për shënim. Megjithatë, faji është i përbashkët, pra i trajnerit dhe i lojtarëve, jo vetëm i trajnerit. Kuzhe konfirmoi se kundër Portugalisë do të luajë me dy sulmues: këtë e shoh si një sinjal pozitiv, sepse kur ke dy lojtarë përpara ka më shumë bashkëpunim dhe jemi më pranë portës". Ashtu si të gjithë lojtarët, edhe Boga nuk i ka kursyer fjalët e mira për kroatin 56-vjeçar: "Ai i ka idetë e qarta dhe gjatë këtyre ditëve kemi punuar mjaft mirë". Duke u kthyer te sfida e së shtunës, sulmuesi shtoi: "Të gjithë duken të mobilizuar. Luajmë kundër Portugalisë, një skuadër shumë e fortë. Gjatë gjithë kohës duhet të jemi të përqendruar, sepse ata kanë elementë që mund të bëjnë diferencën. Luajmë në Tiranë dhe do të kemi mbështetjen e tifozëve në anën tonë. Për respekt ndaj tyre dhe ndaj fanellës do të provojmë të marrim rezultat pozitiv".

Menjëherë pas takimit me luzitanët, Bogdani dhe disa titullarë do të nisin pushimet. Kjo do të bëjë që në miqësoren e katër ditëve më pas, me Gjeorgjinë, lojtarët e rinj të kenë më shumë hapësira. Për këtë verë, sulmuesi ka preferuar Amerikën si vendin ku do të çlodhet, një zgjedhje e bërë edhe nga shumë yje të Serisë A si Maldini, Nesta, Materaci, Çigarini e Rolando Bianki dhe trajnerët Gasparini e Zenga. Kuqeziu ka folur edhe për merkaton dhe alternativat e sezonit të ardhshëm. "Kam edhe një vit kontratë te Kievo dhe drejtuesit e klubit shprehën dëshirën të rinovonim. Është ende shpejt për të folur, kampionati sapo u mbyll. Kam oferta brenda dhe jashtë Italisë dhe kjo bën që mos ta di me siguri se çfarë do të ndodhë në të ardhmen", përfundoi ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›