E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Supermerkato" Milan: Kaka, Pato e Pirlo drejt largimit

Milionat nga Spanja dhe Anglia rrezikojnë Milanin. Kaka, Pato dhe Andrea Pirlo janë pranë largimit nga klubi kuqezi. Transferimi i fantazistit brazilian te Reali i Madridit duket pothuajse i sigurt. Fituesi i "Topit të Artë" në vitin 2007 dhe drejtuesit në Milanelo kanë gjetur akordin me presidentin e ri, Florentino Perez. Bisedimet ndërmjet kreut madrilen dhe Adrino Galianit janë mbyllur me një marrëveshje, sipas së cilës Milani do të përfitojë 65 milionë euro. Një rekord i ri në merkaton e futbollistëve, i cili thyen transferimin e vitit 2001, kur Zinedin Zidan u largua nga Juventusi drejt Realit për 55 milionë euro. Mediat spanjolle janë të sigurta se gjatë sezonit të ardhshëm Kaka do të luajë në "Santiago Bernabeu", me fanellën me numrin 5, që më parë është mbajtur pikërisht nga ylli francez. Sipas të përditshmes "Marca", lojtari ka firmosur kontratë 5-vjeçare dhe do të përfitojë 9 milionë euro në sezon (175 mijë euro në javë). Shitja e yllit të skuadrës ka bërë që tifozët e Milanit të përgatiten për luftë me klubin: krerët e grupimeve në tribunën jugore, që ndryshe njihen si "ultras", konfirmuan se nëse transferimi i Kakasë zyrtarizohet, ata do të pozicionohen kundër drejtuesve. Nuk kanë munguar as kërcënimet pikante: janë të shumtë tifozët që deklarojnë se nëse braziliani largohet, ata nuk do ta votojnë Berluskonin në zgjedhje. Gjithsesi, edhe kompanitë e basteve e shohin numrin 22 larg "San Siros". Zhvillimet e fundit kanë bërë që zyrtarizimi i mesfushorit te Reali (pritet të ndodhë të hënën) të kuotohet me koeficientin 1.50, nga 6.00 që ishte oferta të martën. Po gjatë ditës së djeshme, qëndrimi i tij te shtatë herë kampionët e Evropës kuotohej 3.50, nga 1.20 që ishte vetëm 24 orë më parë. Në një kohë kur largimi i Rikardo Izekson Kaka nuk shihet thjesht si spekulim, në "Milanelo" po shqyrtohen edhe lojtarët që mund të blihen me shifrën e përfituar nga Reali. Objektivi kryesor për skuadrën e drejtuar nga trajneri Leonardo është sulmuesi i Juventusit, Amauri. "Zonja e Vjetër" nuk dëshiron ta shesë italo-brazilianin, edhe sepse Trezege mund të largohet, por do të jetë e vështirë të refuzohet një ofertë me vlerë 30 milionë euro.

Çelsi

Kaka do të jetë lojtar i Realit, pavarësisht se Karlo Ançeloti bëri një tentativë të dëshpëruar për ta afruar te Çelsi. Trajneri i ka telefonuar brazilianit, duke i ofruar 10 milionë euro më shumë sesa spanjollët: pra 75 milionë euro. Gjithsesi, gjithçka kishte përfunduar dhe kjo i detyroi blutë e Londrës që ta spostojnë vëmendjen në dy lojtarë të tjerë të Milanit. Pas rinovimit 3-vjeçar me Drogba, Abramoviç dëshiron edhe Aleksandre Paton. Sipas tabloidëve, oferta për sulmuesin brazilian kap kuotën e 52 milionë eurove (45 milionë sterlina). Çelsi pritet të bëjë edhe një ofertë të parezistueshme për Andrea Pirlon: në "Stemford Brixh" organizatori vlerësohet 25 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›