Mesi: Krahasimi im me Diego Maradonën, mungesë respekti
Lionel Mesi vazhdon të distancohet nga krahasimet e specialistëve, mediave dhe tifozëve me idhullin e tij, e njëkohësisht trajnerin e Argjentinës, Maradona. Nga grumbullimi me Kombëtaren, ku po përgatitet për ndeshjet e ardhshme eliminatore, "El Mesias" nuk ka pranuar të quhet pasardhësi i "El Pibe de Or". "Ka vetëm një Maradona. Nuk do të ketë kurrë një tjetër, apo as ndonjë futbollist që mund të jetë i barabartë me të", tha ylli i Barcelonës për "Fox Sports". "Fakti që njerëzit më krahasojnë mua me Diegon, tregon mungesë respekti". Ai foli për metodat stërvitore të Maradonës në përfaqësuese dhe Pep Guardiolës te Barça. "Janë shumë të ngjashëm. Të dyve u pëlqen të punojnë bashkë me lojtarët. Ata e njohin shumë mirë futbollin dhe dinë si t‘i transmetojnë idetë e tyre". Pasi fitoi La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Champions-in në një sezon, tani 21-vjeçari ëndërron ta ndihmojë Argjentinën të triumfojë në Botërorin 2010: "Më pëlqen të luaj përkrah Serxho Aguerros dhe Tevez. Kombëtarja jonë ka kualitet dhe mund të bëjmë gjëra të mëdha".