E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arapi kërkon rihapjen e hetimeve

12/03/2005  “Alimuça ka akoma para të fshehura dhe ne kemi informacione për shuma të mëdha të depozituara në banka dhe prona të blera në Hungari dhe Greqi”, ka deklaruar kreu i Grupit të Mbikëqyrjes, Farudin Arapi. Sipas Arapit, afro dyfishi i parave në dispozicion për t’u shpërndarë, 85 milionë dollarë mendohet të jenë të investuara në pasuri të fshehura. Bazuar në këto fakte të reja, Arapi kërkoi rihapjen e hetimeve ndaj Alimuçës. “Prokurori duhet të rihapë hetimet për Alimuçën”, ka deklaruar Arapi gjatë konferencës për shtyp. Kështu, sipas investigimeve të Grupit të Mbikëqyrjes, Alimuça rezulton të jetë pronar i hotel “Poseidon” në Greqi dhe i një vile luksoze në lagjen më të pasur të Athinës. Por këto nuk janë të vetmet pasuri që ka mundur të zbulojë Mbikëqyrja. Sipas Arapit, rreth 1.3 milionë dollarë aksione janë investuar në një shoqëri aviacioni civil, ndërkohë që Alimuça mendohet të ketë mbi 2 milionë dollarë në llogari bankare. “I mbetet hetuesisë të verifikojë këto të dhëna”, ka deklaruar Alimuça.

Ndërkohë, Këshilli Mbikëqyrës i Fajdeve po heton dhe mundësinë e fshehjes së parave të VEFA-s nën emra të tjerë. Një pistë hetimi për këtë çështje është dhe skandali i grekut, Vavilis, një bashkëpunëtor i VEFA-s. ”Shtypi grek ka kohë që flet për veprën mafioze dhe kriminale të këtij njeriu dhe, në rast se vërtetohen lidhjet e tij me ‘Vefa’-n, mund të vërtetohen dhe thëniet tona në lidhje me blerjen e tragetit ‘Auolona’ 600 mijë euro në Panama dhe që u regjistrua me një vlerë prej 4.2 milionë dollarësh”, ka thënë Arapi. “Për këtë, ne kemi depozituar në Prokurori një padi penale ndaj Alimuçës për mashtrim dhe fshehje dhe mosbashkëpunim”, ka deklaruar Alimuça.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›