E Hënë, 2 Nëntor 2026

E mitura, kam rritur fëmijën e prostitutës kur isha dhjetë vjeçe

12/03/2005  TIRANË- Përballë në bankën e të akuzuarve kishte të dy prindërit. Marie dhe Lazim Marku, të vënë në pranga për akuzën e trafikut të femrave për prostitucion, me lot në sy dëgjuan dëshminë e vajzës së tyre 14 vjeçe. Akuzohen se kanë trafikuar e më pas shitur vajzën e quajtur Leonora Jakupi, për 500 mijë lekë të vjetra. E trafikuara ka qëndruar për një kohë të gjatë në shtëpinë e çiftit Marku. Këtë gjë, vajza e vogël e mbante mend mirë, por datat dhe bisedat konkrete nuk i kujtoheshin. Shpesh kthente kokën për të parë prindërit. Ndërsa këta të fundit nuk kishin asnjë pyetje për vajzën e tyre, që vazhdon të qëndrojë nën kujdesin e shtëpisë së fëmijës në Sarandë. Klodjana Marku u pyet për ngjarjen në prani të punonjësit social. Edhe pse ligji nuk e detyron të dëshmojë kundër familjarëve, vajza e mitur pranoi të flasë për gjithçka që dinte, kishte parë e dëgjuar. Në krah të saj qëndronte punonjësi social, Petro Çunku. Ndërsa pohoi para gjykatës se së bashku me vëllain e vogël, që nga momenti i arrestimit të prindërve, janë nën kujdesin e shtëpisë së fëmijës në Sarandë. Pyetjet vajzës iu drejtuan nga ana e gjyqtares Liljana Baku. Shumicën e pyetjeve, vajza i kaloi me një përgjigje të shkurtër, "nuk mbaj mend asgjë". Por nga ana tjetër, Klodjana mbante mend diçka të cilën tha se nuk do ta harronte kurrë. "Di t’u them se jam bërë nënë që në moshën dhjetëvjeçare. Kam rritur një fëmijë të vogël, i cili më thërriste nënë dhe unë isha e detyruar ta mbaja". Bëhet fjalë për fëmijën e vajzës së trafikuar, Leonora Maksuti. Dëshmitarja e vogël tregoi në gjykatë se banonte në Sarandë. Nuk i kujtohej viti, por dinte që në shtëpinë e tyre kishte shkuar Leonora Jakupi. Tha se ishte nga Thumana dhe me vete vajza që, tashmë nuk dihet ku është, kishte një djalë të vogël. Gjithashtu tregoi se ajo ikte në mëngjes në punë dhe kthehej në mbrëmje. Një ditë, Leonora kishte ardhur në shtëpinë e të pandehurve, Lazim e Marie Marku me një burrë, i cili e kërkoi për martesë. Pas kësaj dite, Leonora ikën dhe nuk kthehet më. Por, ndërsa ikën, ajo lë në shtëpi djalin e vogël. Klodjana tregoi se fëmijën e vogël disa muaj pas largimit të Leonorës, e merr në shtëpi nëna e saj. "Fëmija nuk donte të shkonte me të, sepse nuk e njihte, por ajo tha se ishte gjyshja dhe duhej ta merrte". Leonora Jakupi, në vitin 2001, shkon në shtëpinë e të pandehurve Marie dhe Lazim Markut. Pasi punon disa kohë si prostitutë në Sarandë, vajza shitet te një person nga Patosi, i quajtur Bujar. Më pas, ajo largohet në Greqi për t’u shitur përsëri te një person tjetër. Punon disa kohë në rrugët e Athinës për të përfunduar në Belgjikë. Kapet nga policia dhe menjëherë sa futet në Shqipëri, ajo bën kallëzim për çiftin Marku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›