E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano, ja çfarë mblodhëm në shtatë vjet

12/03/2005  Rreth 50 milionë dollarë ka qenë gjendja e llogarive bankare të kompanive “Kamberi”, “Vefa Holding” dhe “Gjallica”, gjatë 2004-ës.

”Nga rreth 320 asete të administruara në 24 skemat piramidale, 80 për qind e tyre ishin aktivitete e biznese jo operuese, në trajtë ngrehinash, nuk gjeneronin vlera financiare dhe rezultonin me humbje etj.”, ka bërë të ditur Kryeministri Nano, gjatë analizës së procesit të kontrollit të skemave piramidale gjatë 7 vjetëve. Borxhi total që skemat u kanë 225 mijë kreditorëve shqiptarë, është llogaritur në 830 milionë dollarë, por rreth 25 për qind e kësaj vlere, e barabartë me rreth 235 milionë dollarë, përbëjnë pagesat në trajtë interesash të përfituara nga kreditorët që u larguan nga skema para vitit 1997, shumë e cila është e parikuperueshme, ndërkohë që 18 për qind të borxhit ose rreth 160 milionë dollarë e përbëjnë shpenzime të "bosëve" të piramidave për pagat e punës se tyre dhe të aparateve të fryra administrative, shpenzime të ndryshme të kryera në vitin 1992-1997 dhe, që nuk mund të rikuperohen, ndërkohë që 24 për qind ose rreth 220 milionë dollarë janë të fshehura, apo pa destinacion të përdorura nga "bosët" e skemave piramidale jashtë kontabilitetit, për vete dhe për familjet e tyre, apo për sponsorizime të paregjistruara legalisht. ”Në këtë katrahurë abuzimesh, vjedhjesh dhe shpenzimesh të pasurisë së kreditorëve, vlera e portofolit të rreth 320 aseteve në administrim për rikompensim të kreditorëve, nuk arrin më shumë se 5-7 për qind e vlerës totale të borxhit”, ka thënë Nano.

Nga shitja e aseteve, rezulton se rreth 73 për qind e tyre, nëpërmjet ankandeve publike të zhvilluara, u shitën me vlerë tregu dhe vlerë mesatare, sipas kërkesë-ofertës së tregut dhe rreth 25-27 për qind të shiten me vlerën fillestare të hapjes së ankandit, sipas rregullave, kritereve dhe procedurave të caktuara në ligjin organik të tyre.

Deri më sot, kreditorët e shtatë kompanive rentiere janë kompensuar në shumën prej rreth 16 milionë dollarë, me koeficentët që variojnë nga 11, 20, 34 dhe 50 për qind e vlerës së borxhit, ndërkohë që për shoqëritë e tjera të mbetura, siç rezulton në projektvendimet e parashtruara, koeficentët e kthimit të shumave për vlerën financiare prej rreth 50 milionë dollarë, gjendje në bankë që do të shpërndahen, do të jenë 10.2 dhe 11 për qind.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›