Gafurr Adili: “Akuzat e ngritura ndaj Haradinajt, të fabrikuara nga Beogradi”
12/03/2005 Kreu i Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar, Gafurr Adili, ka reaguar dje gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje në ambientet e hotel “Tirana” në kryeqytet, për akuzat e ngritura ndaj ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj. Adili e cilësoi Hagën si të politizuar dhe i quajti akuzat e ngritura ndaj ish-kryeministrit kosovar Haradinaj, të fabrikuara nga Beogradi. Sipas Adilit, arrestimet e Hagës po provokojnë popullin shqiptar dhe po rrezikojnë destabilizim në Ballkan. Ndërkaq, kreu i FBKSH-së u pajtua me iniciativën e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, që statusi i Kosovës të vihet në jetë sa më parë. Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë paditi Ramush Haradinajn për 37 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për persekutime, vrasje dhe përdhunime në Kosovë. Në aktakuzë thuhet se, pas marsit të vitit 1998, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nën komandën e Ramush Haradinajt, bënë një fushatë sistematike për të marrë kontrollin e shumë zonave të Kosovës, për të dëbuar banorët serbë nga këto fshatra. Sipas aktakuzës, kjo fushatë u karakterizua nga vrasje, trajtime çnjerëzore dhe përdhunime kundër popullsisë serbe e rome, si dhe disa shqiptarëve të Kosovës, të akuzuar si bashkëpunëtorë. Haga kërkoi që Haradinaj të vetëdorëzohej. Ai pas dorëheqjes nga posti i Kryeministrit të Kosovës u vetëdorëzua në Hagë dhe pritet të kërkojë gjykimin e tij në gjendje të lirë. Organizma dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë përshëndetën vetëdorëzimin e Haradinajt në Hagë.