E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arben Ahmetajt i lashë një zonë bastion të socialistëve

16/05/2005  Et’hem Ruka kandidati i PS në zonën 64 sqaron arsyet se përse vendosi të kandidojë në Lushnjë

Ministri i Mjedisit, Et’hem Ruka, i cili garon për zgjedhjet e 3 korrikut nën siglën e Partisë Socialiste, në zonën elektorale numër 64 në Lushnje, tha për “Metropol” se, është deputeti i parë që forca e tij politike, e ka aktualisht të fituar. Pas ndërrimit të zonës së kandidimit, forumet e PS-së ja kanë besuar zonën elektorale numër 33, zv/ministrit të Integrimit, Arben Ahmetaj, e cila aktulisht përfaqësohet nga Ruka. Ndërsa lidhur me garën në zonën elektorale numër 64, Ruka shprehet se i vetmi problem kryesor për këtë zonë, është se duhet të ekuilibrohet infrastruktura rrugore, prodhimi vendas dhe sigurimi i tregut për këto prodhime.

Zoti Ruka, për zgjedhjet e 3 korrikut, ju do të jeni kandidat i partisë socialiste në rrethin e Lushnjës, ndërkohë që, aktualisht jeni deputet i dalë nga një zonë elektorale në kryeqytet. Kjo lëvizje e zonës suaj të kandidimit, është një sfidë për ju apo zbatim i vendimeve të forumeve të partisë?

Për mua është një vlerësim që të kandidoj në një zonë, e cila tradicionalisht ka një elektorat të majtë dhe të them të drejtën, ndjehem tmerrësisht i vlerësuar nga partia sociliste, por dhe nga mënyra se si më ka pritur elektorati i kësaj zone. Unë jam një deputet i vjetër qysh nga viti 1992. Përgjithësisht, kam kandiduar vetëm në zona urbane dhe kam dëshirë që të kandidoj njëherë në një zonë rurale, për tu njohur dhe me situatën në një zonë të tillë. Më duket një sfidë dhe një përvojë shumë e bukur.

Çfarë problemesh ka aktualisht, zona në të cilën ju kandidoni dhe cilat do të jenë platformat tuaja, për ti dhënë zgjidhje këtyre problemeve?

Problemi kryesor, sipas njohjes sime të deritanishme, është se, kjo është një zonë fushore me prodhimim të bollshëm blektoral dhe bujqësor, infrastruktura nuk i përgjigjet zhvillimeve të sotme të prodhimit të kësaj zone, dhe në këtë mënyrë, do të mundohem të vë në akord prodhimin me infrastrukturën e zonës. Problemi kryesor i kësaj zonë është se prodhimi është një prodhim i fermerëve të izoluar, i cili ka shumë pengesa, jo për të prodhuar por, për të tregëtuar produktin e tyre. Unë do të mundohem që të gjej një ekuilibër për këtë problem.

Si i vlerësoni konkurentët e Partisë Demokratike në zonën tuaj elektorale, si dhe ata të Lëvizjes Sociliste për Integrim?

Për mua, LSI-ja nuk është një konkurente në zonën time. Sigurisht që ka një kandidat, dhe ai është petagog në universitetin bujqësor, dikur ka qenë anëtar i PS-së, ka qenë dhe një nga kandidaturat e mundshme të kësaj partie në zgjedhjet e kaluara. Tashmë, besoj është e drejta e tij të kalojë më LSI-në, por, mendoj se elektorati im në zonën time është dhe do të jetë shumë i kufizuar. Praktikisht, nuk e shoh si ndonjë konkurent. Përsa i takon konkurentit të partisë demokratike, jam i bindur se në këto zgjedhje, atë e kanë caktuar në këtë zonë, për ta “djegur”, nuk e di se cili është ai që do të jetë atje por, është një kandidat absolutisht i rrezikuar, i cili nuk do të jetë në parlamentin shqiptar. Zona është një bastion i së majtës, është një zonë ku PS-ja është mbizotëruese, me një elektorat që shkon gati 66 për qind të tij, socilistë, dhe çfarëdo që të ndodhë, këto shifra nuk mund të mbyten. Unë, që aktulaisht jam deputeti i parë socialist i regjistruar për zgjedhjet e 3 korrikut, nga 100 kandidatët për deputetë që ka aktualisht PS-ja. Këtë bekim, ma kanë dhënë të gjitha strukturat e partisë në rrethin e Lushnjës, në zonë elektorale numër 64. Sfida ime dhe kolegëve të mi në të gjithë vendin, është që të dalim katër me zero, në të gjithë vendin.

Keni ndonjë platformë në rast fitoreje për zonën tuaj elektorale?

Sigurisht që jam duke punuar për të hartuar platformën, për t’i dhënë dorën e fundit ditët në vazhdim. Këtë platformë, nuk e kam shpikur unë. Atë po e hartoj bashkë me strukturat e partisë, me të zgjedhurit në pushtetin vendor, me të zgjedhurit e partisë, në mënyrë që të jetë një program sa më realist. Unë si deputet, kam një veçori që, premtoj pak por bëj shumë.

Zoti Ruka, cilat janë porositë që do të donit t’i linit pasardhësit tuaj në njësinë numër 7 të kryeqytetit, Arben Ahmetaj?

Pasardhësi im, është i denjë për ta fituar zonën elektorale. Zona elektorale numër 33, është një bastion tradicionalisht i PS-së. Janë absolutisht të gjitha shanset për të fituar zonën dhe sigurisht, që i uroj suksese, për të ngritur flamurin e socialistëve, në mënyrë që këto, të jenë zgjedhjet e pesta të fituara nga PS-ja. Socialistët kanë pika të forta si, ndershmëria dhe kontributi shumë i madh që kanë bërë në ndryshimin e Shqipërisë, e cila është në portat e integrimit në Bashimin Evropian. Fitorja jonë është e sigurtë pasi, ne kemi përgatitur platformën më realiste, më të plotë, dhe mbi investime konkrete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›