E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Demeti: Balla mori një mësim të merituar në Kuvend

Numri dy i Partisë Aleanca Demokratike, Arben Demeti, sulmoi mjaft ashpër dje Partinë Socialiste. Sipas tij, Edi Rama dhe banda që sulmon PS-në e ka kapur dimri i vetmisë së madhe. “Siç e kemi deklaruar, për Edi Ramën dhe bandën që drejton Partinë Socialiste, për fat të keq dhe për PS, ka nisur një dimër i gjatë i vetmisë së madhe. Partisë Socialiste do t’i duhet që të përballojë, tashmë e vetme, presionin e Partisë Demokratike”, - deklaroi Demeti. Referuar incidentit të ndodhur në Kuvend, mes Kryeministrit Berisha dhe deputetit socialist, Taulant Balla, Demeti la të nënkuptohet se Balla e meritonte, kjo se PS është masakruesja e Kushtetutës. “Ne e konsiderojmë atë veprim që ka ndodhur në Parlament si një “dhuratë” që Kryeministri u bëri masakruesve të Kushtetutës të Partisë Socialiste. Parë në këtë këndvështrim, na rezulton se deputeti në fjalë ka qenë një nga deputetët aktivë dhe protagonistë në ndryshimet kushtetuese, dhe për këtë arsye ne mendojmë që dhurata që Kryeministri i dha atij ishte plotësisht e merituar. Ai e kishte hak, për të mos thënë që e kishte pak. Por, jo vetëm ai, por tre të katërtat e grupit parlamentar socialist nuk vlejnë të gjithë së bashku as sa një nen i vetëm i Kushtetutës së masakruar”, - tha Demeti. Ai vuri në dukje se aleancës demokratike nuk i bëjnë asnjë lloj përshtypje këto dhuratat të Kryeministrit për PS-në. “Këto kanë qenë disa që kur ka ndryshuar Kushtetuta, ka ndodhur dje, po ndodhin sot dhe ne paralajmërojmë që do të ndodhin dhe nesër. Aleanca Demokratike deklaron se nuk do të lëvizë as thoin e gishtit të vogël për të ndihmuar Partinë Socialiste, për të qenë në krah të saj edhe në ato raste të pakta kur ajo mund të ketë të drejtë”, - përfundoi Demeti.

Braçe: Në Kashar, zgjedhje si në Palermo

Partia Socialiste pranoi dje humbjen në zgjedhjet që u zhvilluan ditën e diel në Komunën Kashar. Numri dy i grupit kuvendor që iu rikthye dje konferencave për shtyp pas një pauze të gjatë, Erion Braçe, pranoi humbjen dhe njëkohësisht dha një përgjigje për ftesën që i ka bërë LSI-ja PS-së, që të bëhet pjesë e koalicionit “E majta për Integrim”. Nisur nga kjo, ai preferoi të hedhë dyshime mbi formën se LSI arritur që të renditej e dyta në këtë garë elektorale. “Ne jemi të hapur të ftojmë cilindo t’i bashkohet Partisë Socialiste, në misioni e saj për të ndryshuar këtë vend. Nëse doni më shumë, do të doja t’ju thosha që, po, në Kashar ne kemi humbur. Nuk e shikoj të volitshme të komentoj modelin e zgjedhjeve në Palermo. Hollësitë mund t’i shikoni nga ato shumëkatëshet që ndërtohen atje”, - tha Braçe. Në zgjedhjet e Kasharit, kandidati i Partisë Demokratike arriti të fitonte me një diferencë të madhe votash, ndërsa pas tij u rendit kandidati i LSI-së, më pas kandidati i pavarur dhe Partia Socialiste, e katërta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›