Meta sulmon Ramën nga “Bregu i Lumit”
Rikthehen sulmet mes dy partive të së majtës pas ftesave të njëpasnjëshme të LSI për dialog me Partinë Socialiste. Në një takim me komunitetin e “Bregut të Lumit”, Meta sulmoi sërish Edi Ramën për opozitë të dobët, çka sipas tij, ia lehtëson punën mazhorancës. Meta tha se “për fat të keq jo vetëm që kemi një qeveri të papërgjegjshme, por për fat të keq kemi edhe një pjesë të lidershipit të PS-së që është sjellë në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme sidomos gjatë muajve të fundit, duke i dhënë oksigjen Sali Berishës kur ai ishte më i dobët se kurrë, për shkak të përgjegjësisë që kishte për tragjedinë e Gërdecit”. Meta theksoi se është një problem për gjithë vendin që ka një Berishë në krye, por më e keqja është kur një pjesë e opozitës është praktikisht e kapur nga Sali Berisha. Sepse kjo pjesë e lidershipit të PS-së nuk mund të shkëputet dot nga Berisha, sepse është e kapur në mënyrë të dyshimtë nga vetë ai. Meta garantoi të pranishmit se LSI-ja është bërë dhe do vazhdojë më tej të bëhet një opozitë gjithmonë më e fuqishme, për të gjithë ata shqiptarë që duan të dalë njëherë e mirë vendi jonë nga tranzicioni dhe të shkëputet njëherë e mirë nga Berishat. “LSI-ja është një opozitë e fuqishme, jo një opozitë farsë, një opozitë e shëndoshë dhe serioze dhe jo një opozitë ikanake që largohet nga problemet dhe sfidat madhore që ka vendi, dhe jo një opozitë që në darkë puthet me Saliun dhe në mëngjes bën sikur bën opozitë, një opozitë që ballafaqohet me Saliun dhe jo t’i kthejë faqen tjetër, kur Saliu i godet me shpullë”, - deklaroi kreu i LSI-së.