Berisha: Kashari votoi kundër trillimeve të Ramës
“Fitoret në zonat e vogla janë si bizhuja, shkëlqejnë”
“Fitorja jonë, votë për reformat e qeverisë”
Kryeministri Sali Berisha ironizon pozicionimin e PS-së si parti e katërt në zgjedhjet e Kasharit, teksa vuri në dukje se banorët e kësaj zone votuan kundër trillimeve të Edi Ramës dhe u besuan reformave të qeverisë. Sipas tij, fitorja e Kasharit i ngjan një bizhuje që shkëlqen. Duke e konsideruar fitoren e kandidatit demokrat si një bizhu, Berisha pohoi në mbledhjen e djeshme të grupit të PD-së se Besnik Fuçia mori qartësisht më shumë vota se të dy kandidatët e majtë, pa llogaritur votat që mori kandidati i pavarur, i cili ishte po nga e djathta. “Uroj që leksioni i Kasharit, - tha Kryeministri, - të lexohet si duhet, sepse kjo fakton se fitorja jonë ishte një votë për reformat, por ishte dhe një votë kundër sharjeve e mashtrimeve të tyre”, - u shpreh z.Berisha. Në këtë kontekst, Kryeministri bëri të qartë se fitorja në Kashar nuk vjen si rrufe në qiell të hapur, por si një serial që zhvillohet kudo. Duke iu referuar zgjedhjeve të pjesshme parlamentare dhe lokale të zhvilluara në zona të ndryshme të vendit, Kryeministri i kujtoi të majtës kohën në Shijak kur u largua nga gara elektorale në orën 10 të paradites, në Mokër pavarësisht se derdhi miliona mori atë që meritonte, në Tiranë pësoi një disfatë të thellë përballë Edi Palokës pavarësisht se mobilizoi gjithçka, ndërsa në Paskuqan mezi arriti të mblidhte një grusht votash. “Tani, - vijoi Berisha, - pikërisht ditën që kryetari i PS-së betohet para mediave se do t`ia tregojnë zgjedhësit me vota Sali Berishës, del një kandidat imi i pavarur dhe e shndërron në parti të katërt. E shndërroi në parti të katërt Rustem Murati”. Kryeministri vuri në dukje se pjesëmarrja e njëjtë me dy vjet më parë, dëshmoi se qytetarët e përgjegjshëm donin të zgjidhnin dhe se shpresa dhe besimi tek vota nuk kishte rënë. Duke e vlerësuar këtë si një meritë tjetër të banorëve të Kasharit, Kryeministri theksoi se zgjedhjet ishin perfekte. Ai informoi deputetët e tij se nga Salzburgu merrte informacion se çdo gjë po ecte me qytetarinë më të madhe. Ndaj Berisha falënderoi me shumë mirënjohje zgjedhësit e Kasharit për këtë mesazh të shkëlqyer që shpërndanë në Shqipëri, për besimin madhor që dëshmuan tek Partia Demokratike dhe aleatët e qeverisja e saj. “Me sinqeritet nuk mund ta mbyll falënderimin pa falënderuar z.Rustem Murati se do regjistrohet në analet elektorale të këtij vendi për leksionin e merituar që i dha kryetarit me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës dhe atyre që përdor ai për të mashtruar e trilluar çdo ditë”, - theksoi z.Berisha.