Gjeneral Malaj, betohet para Presidentit Topi
Gjeneral Maksim Malaj është zyrtarisht shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura. Gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar dje paradite në Presidencë, shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, u betua para Presidentit të Republikës. Duke u betuar se do t’i bindet Kushtetutës dhe ligjeve, z.Malaj u shpreh: “Ndihem vërtet i respektuar dhe njëkohësisht i emocionuar t’i drejtohem kësaj audience kaq të nderuar me detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Me këtë rast, do të doja të falënderoja Kryeministrin e vendit për besimin e treguar, duke me propozuar për këtë detyrë kaq të lartë kushtetuese, por njëkohësisht edhe Presidentin e Republikës, njëherazi Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe Ministrin e Mbrojtjes. Të jesh shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është privilegj, por në të njëjtën kohë është edhe detyrim madhor ndaj atdheut, ndaj flamurit, ndaj bashkatdhetarëve, ndaj familjes, ndaj kolegëve dhe të gjithë atyre që të kanë besuar të drejtosh Forcat e Armatosura të Shqipërisë". "Marrja e kësaj detyre përkon në kohë me firmosjen para disa ditësh të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, mesazh ky që përveç vlerësimit të kontributit dhe angazhimit tonë, mendoj se përbën një obligim të madh për të realizuar të gjitha ato detyrime kushtetuese që kanë Forcat e Armatosura", - theksoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Në ceremoni mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa.