E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arben Derhemi, ndjesë publikut, por jo hajdutëve të Festivalit

02/06/2005  Aktori Arben Derhemi reagon pas opinioneve të mbërritura përmes mediave nga organizatorët e Festivalit. Ai hedh poshtë çdo justifikim për dieta të drejtorit të Festivalit, Dhimitër Orgocka; përgjigje e ashpër për kryetaren e jurisë Nina Mazur. Derhemi: Znj.Muzur ka dhënë mendim të papërgjegjshëm

Përtej shkakut të braktisjes së shfaqjes pesë minuta para daljes në skenë, aktori Arben Derhemi thotë se Festivali Ballkanik i Komedisë është i ndërtuar mbi mashtrime, mbulime vjedhjesh dhe drejtohet me hajdutë ordinerë.

Derhemi ka hedhur poshtë të gjitha arsyet që vijnë nga organizatorët e festivalit të Korçës, që u mbyll dy ditë më parë. Nuk e ka lënë skenën për dieta, nuk është shpërblyer më tepër se aktorët korçarë. Derhemi thotë se ishte nisur nga Greqia për në Korçë enkas për festivalin, porse organizatorët nuk i ishin përgjigjur shpenzimeve minimale që i duheshin për rrugën, udhëtimit për në Korçë.

Për këtë i ka lajmëruar 12 orë para shfaqjes, duke i vënë në dijeni se do të braktiste shfaqjen nëse nuk i plotësohej kjo kërkesë. Nga ana tjetër, Derhemi këtë veprim nuk e lidh me anën monetare, por me dinjitetin e tij si artist, duke u shprehur se organizatorët e festivalit e kanë mashtruar, deri në momentin e fundit kur ai vendosi të linte skenën.

Ka dështuar shfaqja e Korçës ku ju ishit aktor, duke e lënë skenën pesë minutat e fundit? Cilat ishin për ju arsyet e braktisjes, ndërkohë që organizatorët e Festivalit Ballkanik të Komedisë thonë se e keni lënë thjeshtë për dieta?

Nuk është kështu, më vjen keq, sepse në radhë të parë, ne duhet të mësojmë nga më të vjetrit, jo të mësojmë gënjeshtrën nga ata. Më vjen shumë keq që prononcohem në këtë mënyrë, por nuk kam fjalë tjetër për një njeri që ka recituar tërë jetën për Enver Hoxhën dhe partinë.

Arsyeja e braktisjes? Mbasi kam mbaruar shfaqjen e Korçës, e cila ka zgjatur një muaj e gjysmë, para festivalit kam shlyer gjithë detyrimet me teatrin e Korçës dhe ata me mua. Unë nuk kam asnjë lloj detyrimi karshi asaj shfaqjeje. Ishte një shfaqje tjetër, po e njëjta, që u dha në Fier, ku për arsye miqësie dhe korrektese, për teatrin e Korçës, shkova atje dhe normalisht nuk kërkova asnjë vlerë monetare, përveç atyre gjërave të domosdoshme, që janë minimale. Ndërkohë që kisha dhe një angazhim në Greqi.

Tani më vjen një ofertë nga drejtori i teatrit të Korçës, regjisorit dhe gjithë trupa, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk dhanë shfaqjen për shkakun tim, duke më kërkuar të jap shfaqjen, pasi kishin nevojë në kuadër të festivalit. Isha dakord, por u thashë që të paguajnë, të paktën, shpenzimet minimale, të domosdoshme, kur të kthehem nga Greqia. Pra të më paguanin thjeshtë biletat e rrugës. Ata më kërkuan në 12 të natës të vij në Korçë, sepse duhej të bëja dhe prova për shfaqjen. Atëherë këtë shpenzim të rrugës duhej të ma hiqnin. Megjithatë erdha me makinën time, duke i kërkuar thjeshtë shpezimet që kisha bërë, që shkonin rreth 14 mijë lekë të reja. E para, më vjen keq se këtu nuk qëndron problemi te çështja monetare, problemi qëndron te personaliteti dhe dinjiteti i aktorit. E dyta, kisha një ditë që i kërkoja takim drejtorit të Festivalit, Dhimitër Orgocka, për të biseduar për motivet.

Kam kërkuar tri herë bisedime për këtë çështje dhe të tria herët më thoshte se do ta rregullojmë. E vura në dijeni se në orën gjashtë kur do të fillonte shfaqja, nuk do të dilja në skenë, nëse nuk shlyente gjithë detyrimet. Pra, i lajmërova 12 orë përpara, duke u thënë se nuk do të dal në shfaqje për arsye se nuk ishin korrektë. U thashë, madje, se ishin mësuar t’i përdornin njerëzit siç donin ata, por me mua nuk do të shkonte kjo gjë.

Dhe cili ishte reagimi i tyre, pasi ju u detyruat të largoheshit pesë minuta para shfaqjes?

Pikërisht pesë minuta para shfaqjes jam larguar, sepse atyre as që u shkonte mendja që ta diskutonin të paktën kërkesën që u kisha thënë. Do ta bëja shfaqjen për interes të Festivalit të Korçës dhe jo për interes të Arben Derhemit, sepse realisht nuk kisha nevojë. Në ato momente unë kisha punë në Greqi, ku do të lidhja disa kontrata pune. Tani si mundet që një juri të mos ketë respekt për gjithë këtë punë që bëj unë si aktor, që lëviza nga Greqia për në Shqipëri, ku brenda natës kthehem në Korçë te këta njerëz, që mendojnë se kemi për detyrë t’u shërbejmë. Në asnjë mënyrë. Kështu që në këto rrethana, në orën shtatë pa pesë, pasi i kisha kërkuar drejtorit të festivalit, që m’u fsheh gjatë gjithë kohës, lashë skenën. Kurse Skënder Demolli, i cili është prononcuar për mua, është totalisht një anonim, dikur brigadier kooperative, që tani ka vendosur të merret me art. Pra, nuk ka nevojë për shumë komente, sepse këtu është qelbur peshku nga koka.

Organizatorët e festivalit kanë thënë se ju kanë dhënë shpërblim ekstra, madje ju kanë vlerësuar më shumë se aktorët korçarë që luajnë në këtë shfaqje...

Kjo është jashtëzakonisht e pavërtetë. E thashë qysh në fillim që gënjejnë, kjo është më e tmerrshmja. Jo vetëm kaq, por gënjejnë për një gjë që e kanë parë të gjithë me sytë e tyre. Ata më kanë dhënë mua dieta me 2 mijë lekë të reja. Dhe një gjë e tillë nuk do të ndodhte kurrsesi, unë ia kam refuzuar ato dieta, nuk u kam marrë asnjë lek. Sepse siç thashë dhe një herë, nuk është çështje lekësh, por dinjiteti, personaliteti. Kisha 12 orë që u kërkoja këtyre drejtuesve të festivalit për të më hequr shpenzimet që bëra. Nuk desha lekë për qëndrimin, por thjeshtë për shpenzimet e rrugës që kisha bërë. Më vjen keq që ky njeri vjen e gënjen që i kemi dhënë lekë më tepër se aktorët e tjerë korçarë.

Po largimin e aktores tjetër, Rozana Radi, si e konsideroni?

Nuk e di që të jetë larguar Rozana. Dhe nuk besoj që të jetë larguar, di që ka tërhequr lekët, por ajo ka qenë në shfaqje. Tjetër nuk di, unë përgjigjem vetëm për veten time. Më vjen keq vetëm për publikun, pasi ai më ka mbështetur për dy javë në shfaqjen në Korçë, kam marrë një ngrohtësi të jashtëzakonshme dhe unë e lashë në momentin e fundit. Por problemi është këtu, që këta lloj organizatorësh janë mësuar të tallen me njerëzit dhe mendojnë që të nesërmen mund të justifikohen duke na thënë se “kaq kishim mundësi”. I vura në dijeni se me mua duhej të bisedonin para shfaqjes dhe, nëse nuk jeni korrekt do të iki, do të braktis shfaqjen.

Kështu nuk flitet për papërgjegjshmëri nga ana ime. Sepse papërgjegjshmëri totale është e organizatorëve, që më shumë vidhet se sa është festival, e këtyre organizatorëve të festivalit që nuk është festival.

Ka disa incidente që ju tregojnë si aktor problematik, nëse kujtoj këtu dhe vjet në Festivalin e Butrintit ju u paraqitët në skenë me zë të ngjirur totalisht, dhe këtë vit dështimi i shfaqjes. Koeçidenca të hidhura për ju, që janë komentuar shumë ashpër në media...

Nuk jam fare problematik në teatër, sepse nuk kam se si të jem problematik në teatër, varet sa janë të tjerët problematikë me mua në teatër. Puna e ikjes së zërit në Festivalin e Butrintit ishte normale, pasi kisha arsye. Nuk është koeçidencë kjo; e para kur një aktori i ikën zëri, zakonisht lihet shfaqja dhe ndodh në gjithë botën, ku lajmërohet se aktori është i sëmurë. Por, unë shkela mbi dinjitetin tim artistik dhe shkoj jap shfaqje thjeshtë për të mos dështuar. Kjo është koeçidenca, që nuk jam problematik duke shkelur mbi personalitetin tim artistik, për hir të së tërës, për hir të Festivalit të Butrintit dola në skenë, e dhashë shfaqjen, pavarësisht se disa njerëz e morën këtë dhe e komentuan siç kishin dëshirë, e përdorën këtë për interesat e tyre.

Po ju bëj një pyetje shumë të thjeshtë, sa e doni teatrin, sepse kthehem prap te kryetarja e jurisë së festivalit, e cila është shprehur për ju se “ai aktor do më shumë veten se teatrin”?

Mund të them se kryetarja e jurisë së Festivalit paska shumë probleme me veten. Njeriu do veten njëherë, në radhë të parë, pastaj do teatrin. Unë e dua teatrin shumë dhe e kanë parë mjaft njerëz se sa bëj unë për skenën. Ndërsa për drejtorin e festivalit, Dhimitër Orgocka, mendoj se është një hajdut ordiner, me të tjerët nuk kam ndërmend të merrem, sepse janë pseudoartistë.

A mendoni se ky veprim ua ka zbehur imazhin si aktor, pasi jeni përfolur mjaft në qarqet artistike dhe në media?

Aspak. Nuk ka lidhje fare. Imazhi im vendoset me ato që bëj unë në skenë. Imazhi nuk vendoset përmes këtyre gjërave. Këto ndodhin, sepse kapitalizmi është i egër. Askush nuk punon nëse nuk shpërblehet, nëse nuk stimulohet financiarisht për punën që bën. Këtu njerëzit janë mësuar që t’i bëjnë këto veprime dhe pastaj të justifikohen se “kaq kishin mundësi”. Gjithçka është një marrëdhënie kaq e thjeshtë, e lidhur mbi bazën e një interesi reciprok dhe të marrëdhënies normale të dy njerëzve të ndershëm, të ndërsjellë. Këtu abuzojnë me rregullat e lojës. Këto janë diskutime që duhet të bëhen në tavolinë me artistë. Ky nuk është një rast, sepse këta njerëz nuk është se i kam dënuar për problemin, sepse nuk më japin mua lekë. Këto nuk dijnë se si shpenzojnë lekët, nuk dijnë se ku të çojnë lekët. Ata kanë probleme me vetveten, me vjedhjet, mashtrimet, me mbylljen e gjithë këtyre gjërave. Pastaj problemi i pagesës në art është një gjë tjetër, i cili mund të diskutohet në ndonjë tryezë tjetër ballafaqimi të trajtimit të artistit në Shqipëri.

Një nga personalitetet e teatrit evropian, Nina Mazur, drejtore e Festivalit të Monodramës për Evropën, është prononcuar për “Metropol” se veprimi juaj si aktor paralajmëron fundin e karrierës. Si e konsideroni një reagim të tillë, shumë të ashpër?

Se çfarë shënon fundin e karrierës sime e di vetëm unë dhe nuk mund të më paralajmërojë askush. Nuk e di se si ka komunikuar zonja Nina me drejtorin e Festivalit, Dhimitër Orgocka për këtë problem, që e ka detyruar të reagojë në atë mënyrë në media. Mendoj se zonja Mazur është treguar e papërgjegjshme me mendimin e saj. Një personalitet, kur jep deklarata të tilla, duhet të ketë shumë mirë parasysh se çfarë thotë dhe në adresë të kujt. Derisa qenka kaq e madhe, kaq VIP në teatër, nuk mund të japë një prononcim të tillë.

Karriera ime jo vetëm që nuk paralajmëron fundin, por sapo ka filluar dhe kam shumë angazhime në gjithë Evropën dhe nuk ka nevojë të vijë një nga Ukraina të më tregojë nëse ka mbaruar apo jo karriera ime. Nuk më intereson fare mendimi i saj, për mua mbetet anonim.

Nina Mazur, drejtoreshë e Përgjithshme e Festivalit të Monodramës për Evropën

“Derhemi paralajmëroi fundin e karrierës së tij”

Mazur e ka quajtur ngjarjen në fjalë sa të çuditshme, aq dhe të tmerrshme. “Unë pashë, tha ajo, mungesën e respektit kundrejt njerëzve që kishin ardhur në teatër. Publiku doli pa ndonjë shpjegim nga salla”. Por mbi të gjitha, Mazur nuk arrinte të kuptonte dot sjelljen e aktorëve Derhemi dhe Radi. “Përse ky aktor, vijon Mazur, e do kaq shumë veten dhe kaq pak teatrin?!”. “Unë kam një përvojë të madhe në festivalet teatrore dhe gjatë gjithë kohës kam vënë re se tek artistët e vërtetë marrëdhëniet private dhe ndjenjat kalojnë në plan të dytë, përballë interesave profesionale, por edhe patriotike. Kam përshtypjen se dje pamë një tablo tjetër”. Duke iu referuar sërish përvojës, Mazur tha, se në “Festivalin e Monodramës marrin pjesë aktorë nga vende të ndryshme të Botës, por kurrë nuk kam parë aktorë që të braktisin shfaqjen. Shumë prej aktorëve ndihen mirë që marrin pjesë në konkurrim, madje, nuk e llogarisin pagesën. Ngjarja në Festivalin Ballkanik të Komedisë në Korçë ishte një fyerje jo vetëm për spektatorin, por edhe për vetë aktorët. Një veprim i tillë është një paralajmërim për fundin e karrierës së tij”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›