Bush: Raporti i Amnesty, absurd
02/06/2005 Presidenti Bush e cilësoi “absurd” raportin e organizatës Amnesty International, i cili kritikon Shtetet e Bashkuara për shkelje të të drejtave të njeriut. Në një konferencë për shtyp, në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë një vend që mbështet lirinë në mbarë botën. Në një raport të publikuar javën e kaluar, organizata Amnesty International e krahason burgun amerikan në Guantanamo të Kubës me kampet e të burgosurve të regjimit sovjetik. Presidenti tha se raporti bazohej në akuza të të burgosurve, të cilët e urrejnë Amerikën. Gjatë konferencës për shtyp, Presidenti i bëri gjithashtu thirje Kongresit të veprojë për të vënë në zbatim planet e tij të politikës së brendshme, përfshirë edhe miratimin e një ligji për energjinë para pushimeve të gushtit si dhe reformimin e sistemit federal të pensioneve.