PDIU çel fushatën elektorale në Sarandë, Idrizi: Votoni alternativën e zhvillimit- larg ekseseve që prodhon fushata

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet çeli fushatën elektorale në qytetet e Delvinës dhe Sarandës, në prani të qindra simpatizantëve të saj. Në Sarandë, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi bëri thirrje për qetësi gjatë fushatës zgjedhore dhe u kërkoi forcave të mëdha politike të vendosen në krah të qytetarëve, për të mundësuar integrimin evropian.
“Këto zgjedhje janë jetike për vendin tonë. E humbëm një herë shansin për të fituar statusin e vendit kandidat në BE. Tani është rasti që ta fitojmë këtë të drejtë dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve me standarde të plotësuara. Dhuna që shfaqet në këto zgjedhje është e patolerueshme. Partitë e mëdha duhet të largohen nga ekseset” – tha z. Idrizi.
Në Delvinë, Idrizi kërkoi votën e qytetarëve, si një kontribut për çështjen kombëtare dhe si një amanet i të gjithë patriotëve shqiptarë.
“Ne kërkojmë sot votën tuaj. Ne kërkojmë sot votën për zgjidhjen e çështjes kombëtare, për zgjidhjen e çështjes çame, për bashkimin ekonomik me Kosovën, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ne kërkojmë sot votën e të gjithë patriotëve shqiptarë, që të na mbështesin në rrugën tonë, për të vijuar presionin pozitiv ndaj aktorëve politikë“ – tha z. Idrizi.
Presidenti i Nderit i PDIU-së, u shpreh në kinoteatrin e qytetit se ka ardhur çasti që të mbështetet çështja kombëtare, pa dallim nga origjina e votuesve, sepse të gjithë jemi shqiptarë.
“Sot ne nuk kërkojmë vetëm votën e shqiptarëve të Çamërisë, por edhe të labëve, të saranditëve, të delvinjotëve, akoma edhe të minoritarëve, që shohin ten e një alternativë të re patriotike, ku patriotizmi nis nga zgjidhja e problemeve të përditshmërisë“ – tha z. Muhedini.
Deputeti Dashamir Tahiri kërkoi votën e të gjithë shqiptarëve për kandidatët e Koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
“Vota juaj në këto zgjedhje është shumë e rëndësishme. Ndaj ju ftoj të votoni kandidatët e Aleancës për Qytetarin për kryetar të bashkisë dhe të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në fletët për këshilltar të bashkive” – tha z. Tahiri.
Gjatë takimeve u prezantuan edhe kandidatët për kryetar të bashkive të Delvinës dhe Sarandës, përkatësisht Dhurim Alinani dhe Edmond Gjoka.