Arben Kumbaro,një leksion jete nga “Gratë e Trojës”
ALMA MILE
“Produksioni ynë ka një mesazh të thjeshtë: durimin. Të mësosh si të qëndrosh në këmbë dhe t’i bësh ballë jetës, sido që ajo të vijë. Është kjo çfarë Hekuba, një nga personazhet kryesore, nënkupton kur thotë: “Fluturimi ynë do të jetë i përjetshëm, për t’u ushqyer duhet të hamë erën”. Kështu e përmbledh me pak fjalë atë çka do të arrijë me produksionin e tij Arben Kumbaro. Pas pak ditësh, në datën 20 mars, Kumbaro do të ngjisë në skenën e “Loyola University”, në Nju Orleans një nga tragjeditë më të famshme të antikitetit grek. Bëhet fjalë për “Gratë trojane” të tragjedianit të madh grek, Euripidit, por këtë herë mbështetur në një version të adaptuar nga Ellen McLaughlin, aktore dhe dramaturge e njohur amerikane. Një version, i cili e sjell tragjedinë greke më afër në kohë, e përshtat me gjuhën bashkëkohore të teatrit. Ndërsa vetë regjisori, që ka zgjedhur këtë pjesë heq paralele mes veprës së shkruar në vitin 415 përpara Krishtit me kohët moderne dhe i referohet më saktësisht rajonit të nxehtë ballkanik. Kështu që “Gratë trojane” do të vijë si një kompleksitet historish dhe traditash. Nis në Greqinë e Lashtë, i referohet Trojës mitike, heq paralele me kohët moderne, me truallin e Ballkanit e bashkë me të edhe Shqipërinë, por merr edhe nuanca vendase, të cilat transplantohen në të përmes muzikës. “Gratë trojane” është një vepër madhore, që kërkon pjesëmarrjen e një trupe të gjerë aktorësh, kryesisht femra. Përpos heroinave si mbretëresha pa fron Hekubë, nëna e Hektorit, gruaja e heroit të vrarë, Andromaka, vajza me dhunti profetike e Primait, Kalandra, luftënxitësja Helenë, një personazh i rëndësishëm i tragjedisë është edhe kori i grave, i cili përbëhet nga 7 vajza. Ndonëse vepra shfaqet në një ambient universitar, ajo nuk ka karakterin e një shfaqjeje universitare. Pas saj qëndron një trupë e madhe profesionistësh, që nga realizuesit e skenografisë, kostumeve, ndriçimit, menaxherët, asistentët, kompozitorë e muzikantë. Siç mësojmë nga regjisori Arben Kumbaro, shfaqja do të ketë një mbështetje muzikore të veçantë. Kolona zanore e veprës është kompozuar nga mjeshtri James Walsh, i cili është mbështetur në traditën e bluzit amerikan. Në konceptin e tij regjisorial, Arben Kumbaro thotë se “Gratë trojane” është një nga dëshmitë më të fuqishme antiluftë në historinë e teatrit botëror. Është shkruar vetëm pak muaj pasi Athina pushtoi qytet-shtetin e Melosit, duke therur burrat e tij dhe duke kthyer gratë në skllave. Kur ka shkruar “Gratë trojane” Euripidi i kishte ende të freskëta barbaritë e athinasve në këtë luftë dhe kjo vepër do të mbartë gjithnjë këtë jehonë. Aso kohe Euripidi konsiderohej si një nga tragjedianët grekë më të angazhuar dhe kritikët më të fortë të shoqërisë dhe tek “Gratë trojane”, ai përdor historinë tragjike të Trojës si një pasqyrë, ku reflektohen luftërat shkatërruese të kohës së tij. Sipas Kumbaros, me kurajë Euripidi provokoi bashkëqytetarët e tij të ndryshonin mentalitetin e tyre dhe paragjykimet që ata kishin për armiqtë. “Gratë mbanin një pushtet misterioz në shoqërinë greke dhe mbi burrat e Athinës. Dramaturgu asokohe i përdori si një arketip antiluftë, si personazhet kryesore në veprën e tij”, - thotë regjisori. Përmes veprimeve dhe reagimeve të tyre, gratë kërkojnë të gjejnë arsyet e luftës dhe fatkeqësisë së tyre. Si mundet një njeri i kapur mes kontradiktave të luftës, të bëhet autor i dhunës së tmerrshme për kundërshtarët? Kjo është një tjetër pyetje që tragjedia e Euripidit ngre me forcë para publikut të së gjitha kohërave. Përse njerëzit edhe sot vazhdojnë të manipulohen dhe të ndër veprime që janë universalisht të gabuara? Për regjisorin, këto pyetje dhe çështje janë thelbësore për kohën moderne. Në hyrje të përshtatjes së saj, Ellen McLaughlin thotë se: “...ky version fokusohet më së shumti në konceptin e humbjes së një qyteti të madh... por kushdo ka humbur një qytet; por një qytet, një qytetërim jo detyrimisht duhet të shkatërrohet fizikisht që të humbasë”. “Fryma që sundon adaptimin e Mclaughlin ishte arsyeja pse zgjodha këtë version të veçantë të “Grave trojane” për ta vënë në skenën e “Loyola University”, Nju Orleans, këtë pranverë. Isha i ndërgjegjshëm mbi ndjesinë e “humbjes së një qyteti”, një ide që është gdhendur në gur në formën e kujtesës së popujve në gjithë botën. Kjo përfshin edhe historinë kontradiktore të rajonit ballkanik”, - thotë Kumbaro, i cili nuk harron të përmendë edhe tragjedinë ende të freskët të uraganit Katrina në këtë kënd të bukur të botës, në Nju Orleans.
Kumbaro, nga Tirana në Nju Orleans
Arben Kumbaro është një nga regjisorët më të angazhuar në skenat shqiptare. Vetëm një vit më parë ai ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar tragjedinë muzikore të Dyrrenmatit “Franku V” dhe ca më parë “Për një fjalë goje” të Sarrot, me të cilën korri sukses. Dramaturg, gazetar, përkthyes dhe pedagog në Akademinë e Arteve në degën e aktrimit dhe regjisë, Kumbaro ka vënë në skenë një numër të madh pjesësh teatrale me trupa profesioniste e studentë, që nga autorët klasikë, tek ata modernë, si Çehov, Ibsen, Shekspir, Beket, Jonesko, Breht, Pirandelo, Dyrrenmat, Xhenet, apo Edgar. Në një kohë kur kritika e artit çalon në Shqipëri, ai ka marrë përsipër të komentojë dhe të japë mendimin e vet prej profesionisti mbi ngjarje të rëndësishme teatrore. Ka qenë artist rezident në Qendrën dramatike në Normandi dhe profesor në “Université de Caen”, Francë. Ka kryer shumë specializime, kryesisht në Francë. Ka marrë pjesë në ngjarje ndërkombëtare, ka bashkëpunuar me emra të njohur të teatrit dhe ka realizuar disa produksione në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Momentalisht ai jep leksione mbi shkrimin e dramës në “Loyola University”, në Nju Orleans.