E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura e Hajmelit në rrezik, ndalohen mjetet e rënda

 

SHKODER – “Ura e Skarramanes në komunën e Hajmelit është drejt shembjes. Duhet ndërhyrë urgjent nga të gjitha strukturat shtetërore për bllokimin e kalimit të automjeteve të tonazhit të rëndë në të”. Alarmin e jep drejtori i ndërmarrjes Rruga-Ura, Gjovalin Kodra. “Ka muaj të tërë që është kërkuar të ndërhyhet, por deri tani nuk është bërë asgjë, ndërkohë që mund të ndodhë ndonjë tragjedi”. Pavarësisht se kjo ndërmarrje ka vendosur edhe tabelat që sinjalizojnë ndalimin e qarkullimit të automjeteve të rënda, ato jo vetëm që nuk janë respektuar, por edhe janë hequr fare. Me e keqja është se mbi këtë urë kalojnë edhe mjete të tonazhit të rëndë të kompanisë se kontraktuar, e cila po punon për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Elbasan-Podgoricë. Tashmë sipas specialistëve, ura e Hajmelit, e njohur si “ura e Skarramanes” është drejt shembjes së plotë, prandaj sipas Kodrës kërkohet ndërhyrja e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës që të mos lejohet kalimi i mjeteve të rënda. Sipas drejtorit të ndërmarrjes, për këtë fakt është vënë në dijeni edhe Këshilli i Qarkut dhe Prefektura e Shkodrës, të cilët kanë marrë një vendim që me datë 5 shkurt për bllokimin e kalimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në këtë urë. Por, lëvizjet kanë vazhduar, pasi duket se nuk ka asnjë mundësi tjetër nga mund të sigurohet kalimi. Nëpërmjet kësaj ure sigurohet lidhja mes Vig Mnelës dhe Komunës Hajmel me rrethin e Lezhës. “Të gjendur para një situate të tillë firma që punon për shtrimin e linjës së interkonjeksionit nuk ka mundësi kalimi për mjetet e saj, por ata harrojnë se jo vetëm po rrezikojnë jetën e drejtuesve të mjeteve të tyre por edhe po bllokojnë një zonë të tërë”, ka përfunduar Kodra. Ura ka rreth 90 vite që është ndërtuar dhe përveç disa riparimeve të pjesshme, në te nuk ka vënë njëri dorë prej vitesh, duke arritur deri në pikën e rrezikut.            r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›