Vetëvendosje, padi penale 93 serbëve të strukturave paralele
Liderët e lëvizjes popullore kosovare, Vetëvendosje, kanë kryer padi penale kundër 93 liderëve të së ashtuquajturave institucione paralele serbe në Kosovë, ku kanë përfshirë edhe emrin e ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdnaoviç. Padia është bërë në Gjykatën e Prishtinës. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se lëvizja e tij ka hedhur akuzat e hetuara, në mënyrë që qeveria e Kosovës te mos pretendojë më të justifikohet se ajo nuk e di se kush i drejton këto institucione, që po minojnë sovranitetin e republikës së re. Kurti tha se “një republikë serbe” po formohet brenda Kosovës. Sipas Vetëvendosjes, këta njerëz janë përgjegjës për disa akte kriminale, madje edhe pas shpalljes së pavarësisë vitin e kaluar, akuzë për të cilën ligji parashikon 5 vite burgim. “Ata kanë themeluar strukturat paralele të një vendi tjetër, Serbisë. Ata veprojnë në Kosovë dhe këto struktura janë të përgjegjshme për disa krime, vrasje, plagosje, shkatërrime objektesh”, thuhet në një deklaratë të lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e Kosovës ka refuzuar të bëjë komente mbi këtë deklaratë. “Prokuroria është në ndjekje të çështjes së strukturave paralele. Unë nuk kam parë ndonjë propozim të Vetëvendosjes dhe nuk mund të them asgjë mbi këtë”, tha zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi. Ndërkohë ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç, tha se për qeverinë e Serbisë është “absolutisht e papranueshme” ndërprerja e misionit të UNMIK-ut në Kosovë. “Këshilli i Sigurimit i KB nuk do të lejojë që të hiqet misioni i UNMIK-ut, sepse ai është misioni i vetëm legjitim krahas EULEX-it dhe KFOR-it, i cili duhet të kujdeset për të gjithë qytetarët në Kosovë”, tha ai. Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni tha më parë se do të kërkojë nga Këshilli i Sigurimit të ndërpresë misionin e UNMIK-ut, sepse ai nuk ka kurrfarë kompetencash, ndërsa në Kosovë tashmë ndodhet misioni i EULEX-it. Por shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç ka deklaruar se autoritetet e Serbisë janë të gatshme për bashkëpunim me EULEX-in, sepse siç është shprehur, kanë “përgjegjësi të përbashkët që t’i përkushtohen zgjidhjes së një sërë çështjesh praktike, duke respektuar linjat e kuqe të ndërsjella”. Në një tekst autorial të botuar në gazetën greke “To vima”, Jeremiç ka theksuar se në atë bashkëpunim duhet vënë në pah atë që bashkon, e jo “atë që mund të ndajë”. “E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor, një imperativ strategjik të cilin e ndajmë të gjithë, varet nga suksesi ynë”, theksohet në këtë tekst.