E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Furtuna”, arrestohen tre të rinj me doza heroine

 

BERAT - Një operacion i antidrogës në Berat i koduar “Furtuna”, arrestoi tre persona dhe sekuestroi 23 doza heroinë. Agjentët e policisë arrestuan Romeo Këmbaçin, 27 vjeç nga Durrësi, Aurel Etemaj, 23 vjeç dhe Fation Hodo, 23 vjeç të dy nga Berati, pasi prej disa ditësh i mbanin në survejim. Prangosja e tyre u krye në kushtet e flagrancës. Mësohet se tre të rinjtë ishin shpërndarës të lëndës narkotike nëpër shkollat e qytetit, por policia ra në gjurmët e tyre, në sajë të informacioneve të siguruara në rrugë operative. Rreth orës 14:00 të së premtes, blutë ndërhynë kur njëri nga autorët ishte nisur pranë banesës së bashkëpunëtorit të tij, Aurel Etemaj në lagjen “Uznovë”. Agjentët e antidrogës rrethuan banesën ndërsa ndërhynë duke bërë arrestimin pa rezistencë të tre të rinjve, të cilët ishin bashkuar pikërisht tek banesa ku u krye operacioni. Nga kontrolli i ushtruar në shtëpinë e Etemaj, policia gjeti 23 doza heroinë, e cila ishte bërë gati për shitje me peshë 10 gramë. Sipas policisë, arrestimi i tre të rinjve u bë pasi ata kanë konsumuar elementët e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim” si dhe “përshtatjes së ambientit për përdorim droge”. Tre të arrestuarit mësohet se kishin qenë më parë të dënuar për vjedhje me dhunë dhe plagosje të rëndë. Ata e ushtronin aktivitetin nëpër gjimnazet e qytetit të Beratit, duke ua shitur “mallin” nxënësve. Por prindërit dhe banorë të tjerë kishin sinjalizuar agjentët e policisë për veprimtarinë e dyshimtë të tyre.              d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›