“Mesfushori 1”, kapet me 5 kile drogë ish-futbollisti
ELBASAN/ Aldo Kozarja
Një operacion special nga Drejtoria e Antikrimit të organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit sekuestroi dje 5 kilogramë drogë dhe arrestoi katër persona.Burime të policisë bënë të ditur se në aksin nacional Librazhd-Elbasan u sekuestrua dje mbasdite një sasi prej katër kile heroinë, ndërsa në një magazinë në Elbasan u gjet dhe një kile kokainë. Në sajë të operacionit të koduar “Mesfushori 1”, u arrestuan Gjergji Gjika, ish-futbollist i skuadrës së Elbasanit, Mikel Dima, Thanas Bebi dhe Bexhedet Hidri. Në mjetin taksi të këtij të fundit, njësia e operacioneve speciale sekuestroi katër kilogramë heroinë, e cila ishte destinuar për në Elbasan. Sipas policisë, droga vinte nga Maqedonia, por ende nuk ka të dhëna për destinacionin përfundimtar. Dyshohet se pasi t’i bëhej përpunimi në laboratorin që ishte sajuar në një prej ish-ofiçinave të Elbasanit, malli do të nisej drejt Greqisë. Mësohet se policia i kishte në survejim prej disa muajsh katër të arrestuarit. Dosja e tyre ishte kopsitur dhe policia kishte bashkëpunuar me autoritetet doganore të Maqedonisë, të cilët kanë lejuar “pakon” të futej nga pika kufitare nga ku më pas do të arrestoheshin në kushtet e flagrancës personat e implikuar në trafik. Sipas burimeve, të arrestuarit janë mbajtur në përgjim me vendim të gjykatës. Ndaj tyre policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda disponon prova të mjaftueshme për pjesëmarrjen e tyre në veprimtarinë kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Operacioni i kodua “Mesfushori 1” vjen vetëm pak javë, pasi po në Elbasan, njësia e operacioneve speciale të Policisë së Shtetit finalizoi në një tjetër operacion të koduar “Mesfushori”, ku në pranga ra presidenti i skuadrës së Elbasanit, Arben Laze, vëllai i tij, Fajton Laze si dhe dy shtetas të tjerë. Zyra e antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nuk bën të ditur detaje, nëse dy operacionet e koduara “Mesfushori” dhe “Mesfushori 1” kanë lidhje me njëra-tjetrën. Kjo për shkak të ndonjë dekonspirimi të mundshëm, pasi mësohet se “Mesfushori 1” do të vijojë me arrestime të tjera. Policia zbuloi laboratorin në të cilën dyshohej se bëhej përzierësi i drogës në Elbasan. Aty kishte mbetje përzierësi, peshore, ene alumini, letër natriban etj. Njëri nga të arrestuarit e djeshëm, Gjergji Gjika është ish- futbollist me Elbasanin. Madje ai është liruar nga qelia para vitit të ri, pasi u arrestua rreth dy muaj më parë si person i dyshuar për vendosjen e një sasie të konsiderueshme eksplozivi në automjetin e futbollistit të Elbasanit, Armand Mehmetaj. Gjithashtu, Gjergji Gjika njihet si një nga miqtë më të afërt të presidentit të Elbasanit, Arben Laze.
Policia bëri të ditur se Mikel Dima dhe Bexhedet Hidri janë ndaluar në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, duke transportuar me dy automjete rreth 4 kg lëndë narkotike e dyshuar si heroinë. Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tjerë të këtij grupi, Gjergji Gjika dhe Thanas Bebi, janë arrestuar në flagrancë në magazinën në Elbasan, e cila ishte kthyer në laboratorin e përpunimit të lëndës narkotike.
Të arrestuar
- Gjergji Gjika, 29 vjeç
- Mikel Dima, 38 vjeç
- Thanas Bebi, 40 vjeç
- Bexhedet Hidri, 40 vjeç
Predecenti
Presidenti i Klubit të Elbasanit, Arben Laze u arrestua më 23 dhjetor 2008. Operacioni special i Drejtorisë së Antikrimit të Organizuar arrestoi edhe vëllain e Arben Lazes, Fatjon Laze.
Aksioni i zhvilluar në qytetet e Elbasanit, Lushnjës dhe Fierit vuri në pranga edhe dy fierakë, Arben Prifti dhe Shkëlqim Hyzma.
Ata u akuzuan për “ngritjen e organizatës kriminale” dhe “trafik ndërkombëtar droge”. Të arrestuarit po hetoheshin prej pesë muajsh, ndërsa finalizimi i arrestimit të tyre mbarte prova të forta që i implikonte ata në veprimtarinë kriminale.