“Braho në gjendje të rëndë, duhet të dalë jashtë”
BLEDAR HOTI
Të dhjetë deputetët po e zhvillojnë grevën e urisë në kushte mjaft të këqija. Ky është mendimi i dhënë dhe nga mjekët dhe nga vetë drejtori i Autoritetit Rajonal Shëndetësor, Mëhill Gecaj. Deputetët janë detyruar që të qëndrojnë për shumë orë në karrige dhe madje të flenë mbi karrige, pasi mungojnë dhe kushtet minimale për zhvillimin normal të grevës. Në një intervistë për “Panorama”, drejtori Gecaj deklaron se deputetët që kanë më shumë probleme janë Spartak Braho, Frrok Gjini dhe Ndue Shpani.
Zoti Gecaj, si paraqitet gjendja shëndetësore e 10 deputetëve që janë në grevë urie. Ata kanë prej katër ditësh që janë ngujuar?
Aktualisht gjendja e deputetëve grevistë relativisht është e qëndrueshme, duke përjashtuar dy-tre raste, të cilat ne po i ndjekim nga afër me shërbimin e urgjencës për 24 orë. Kjo me mjekë specialistë kardiologë, endokrinologë, pathologë e mjekë të shërbimit të urgjencës. Paraqet probleme Spartak Braho, i cili ka një ndryshim të parametrave tërësorë, si niveli i sheqerit, problemet me hipertensionin, ka probleme të diabetit. Diabeti është një sëmundje që kërkon një shërbim korrekt mjekësor dhe regjim ushqimor korrekt. Ky do të jetë problemi më i madh i kësaj greve. Me këtë rast atij i është rekomanduar nga shërbimi jonë shëndetësor që ta ndërpresë grevën e nisur prej mese tri ditësh. Megjithatë ai nuk është problemi jonë, ne jemi gjithmonë për të ofruar shërbim shëndetësor, kjo është një çështje që e vendosin vetë ata. Deputeti tjetër që paraqet probleme është deputeti demokristian Ndue Shpani, me hipertension, që vjen si rezultat i mosushqyerjes. Ne i jemi ofruar me gjithë asistencën e nevojshme me perfuzion, serume, të cilat bëjnë të mundur mbajtjen në nivel normal të parametrave jetësore, duke mbushur shtratin vazal. Deputeti tjetër Frrok Gjini refuzon të marrë totalisht mjekimin, nuk pranon as të marrë propozon, absolutisht dhe as mjekime të tjera që ndikojnë në uljen e hipertensionit dhe parametrave të tjerë. Deputetët e tjerë paraqesin një gjendje të ndryshme.
Po për sa i përket trajtimit mjekësor. Çfarë mund të na thoni?
Ne jemi këtu për të mbajtur nën kontroll 24 orë situatën, duke pasur parasysh se tashmë në ambientet e Kuvendit janë instaluar të gjitha pajisjet, si debrifilatorin, pra aparatin e oksigjenit, elektrokardiogramën, krevatet e vizitave, ato që tashmë i duhen. Besoj se nesër (sot) pranë shërbimit mjekësor tonë do t’i bashkëngjitet dhe një mjek tjetër kardiolog nga QSU dhe një mjek reanimator për të bërë të mundur shtimin e asistencës mjekësore.
Duke pasur parasysh gjendjen shëndetësore të grevistëve, sa mendoni ju se mund të zgjasë kjo situatë pa u ushqyer?
Nga eksperienca ime dhe si ish-student i grevës së urisë të dhjetorit 1990, ne kemi qëndruar tri ditë. Por qëndrimi i gjatë në grevë urie dëmton shumë, pasi do të kemi dëmtim të organeve të ndryshme dhe është e rrezikshme. Ne do t’i mbajmë me perfuzione dhe lëngje të ndryshme, të cilët nuk i kanë pranuar. Por ne do t’i monitorojmë deputetët grevistë. Sesa mund të rrinë deputetët në grevë pa u ushqyer, kjo varet nga niveli i organizmit, nga gjendja e tij imunitare. Kjo është e papërcaktuar rast pas rastit.
Po në lidhje me kushtet që po zhvillohet greva. Si janë ato?
Ne kemi instaluar disa krevate vizitash, ku mund të vendosim perfuzionet dhe mjekët. Ne jemi për të dhënë ndihmën mjekësore, por normalisht kushtet e grevës normalisht lënë për të dëshiruar aty brenda.
Po në lidhje me situatën e zotit Braho ç’mund të na thoni, meqenëse i keni kërkuar që të dalë nga ngujimi?
Zoti Braho duke pasur problematike nivelin e glicemisë, duke pasur parasysh dhe problemet e tjera, që vijnë nga mosushqyerja, i është rekomanduar nga mjekët tanë, nga specialistët e shërbimit parësor dhe mjekët e urgjencës që ta ndërpresë grevën. Është një vendim që i përket atij, ne kemi si qëllim të vetëm ndihmën mjekësore.
Topalli, vizitë e dytë
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka vizituar për të dytën herë sallën e grevistëve, duke i ofruar pas disa ditësh dhe disa krevate mjekësore në një nga dhomat që janë në krah të sallës së seancave plenare. Topalli ka qenë në sallë pas incidentit të krijuar me moslejimin e deputetit belg për të vizituar 10 grevistët. Gjithashtu mësohet se një nga arsyet se pse Kryeparlamentarja është interesuar dhe për shëndetin e deputetit Spartak Braho, pasi sipas informacioneve të mjekëve ka pasur probleme shëndetësore. Kjo është vizita e dytë që Topalli ka realizuar në këto katër ditë.
Efektet e grevës së urisë
Si pasojë e qëndrimit për një kohë të gjatë pa ushqim, në grevë urie ndodh një ç’rregullim i të gjitha parametrave të organizmit, më shpesh dhe më e shprehur është luhatja e tensionit, ulje e tij. Shenjat e para që jepen është ulja e nivelit të sheqerit. Por preken dhe sisteme të tjera, kështu ndodh ulja e nivelit të sheqerit, probleme në sistemin nervor. Kjo bën që personi që qëndron për një kohë të gjatë pa ngrënë, të ketë axhetim, nervozizëm, turbullime në të menduar apo në perceptimin e objekteve në ambientin që i rrethon. Veç këtyre personi ndjen lodhje, dobësi, dhimbje muskujsh, dhimbje koke, marrje mendsh. Të gjitha shkaktojnë dhe pasoja kardiake.
Vargu: S’ka mjekë specialistë
Kardiologu Petrit Vargu në një prononcim për median kërkoi në mënyrë urgjente instalimin pranë Kuvendit të Shqipërisë, në vendin ku prej tri ditësh janë vendosur grevistët mjekët e specializuar. “Situata është shumë e rëndë dhe e ndërlikuar se sa paraqitet. Tre nga dhjetë grevistët janë diabetikë dhe ky është një problem jo i vogël”, theksoi Braho. Sipas tij dhe deputeti Gjini paraqet probleme shëndetësore. “Unë mendoj se tani duhet të rritet niveli i asistencës mjekësore. Pra, nga këto mjekë të thjeshtë të urgjencës së rrethit të Tiranës, duhet të ketë patjetër anestezistë, reanimatorë,
që duhet të ndjekin ekuilibrat acido-bazike”, theksoi Vargu.