Tre deputetë, në gjendje të rëndë
adi shkembi
Në ditën e pestë të grevës së urisë vihen re dukshëm shenjat e përkeqësimit të gjen-djes shëndetësore të dhjetë deputetëve. Një gjë e tillë nuk ishte aspak e vështirë të shikohej mbrëmë nga intervistat e emisionit “Ora e debatit” në Ora News të gazetarit Alfred Peza. Ashtu siç edhe përflitej prej ditësh, por që askush nuk i kishte parë publikisht, deputetët Spartak Braho, Ymer Tola, Frrok Gjini e Petro Koçi ishin më të rënduarit fizikisht. Deputeti i LSI-së, Braho gjatë gjithë intervistës qëndronte në një karrige, ku zakonisht rrinë sekretaret e Kuvendit në seancat parlamentare, por nga tonaliteti i tij dalloheshin shenjat e rënies fizike. Megjithëse bluzat e bardha, të cilat e kanë mbikëqyrur gjatë gjithë ditës së djeshme, Braho refuzoi të ndërpriste grevën e urisë. E njëjta gjë binte në sy fare qartë edhe me deputetin Frrok Gjini. Ndryshe nga Braho, demokristiani Gjini qëndronte në tapetin e sallës së Kuvendit, ku gjatë intervistës kishte ende durim edhe për të shkruar në një letër format A4. Dita e djeshme duket se ka qenë edhe më e rënduara për deputetin Gjini, i cili vendosi edhe të mos merrte më serume e ujë. “Deri tani s’ka pasur ndonjë të mirë nga kjo grevë. Gjendja ime është përkeqësuar, por mjekëve i refuzova në shenjë proteste për të më dhënë serume, por edhe ujin. Kam vendosur që të ndërpres të gjitha kontaktet me mjekët, kjo në shenjë proteste ndaj kësaj neglizhence që po tregohet me ne. Unë do të vazhdoj kështu siç jam, le të shkoj sa të shkoj”, tha deputeti i PDK-së në një prononcim për gazetën “Panorama”. Shenjat e lodhjes fizike dhe pamundësisë viheshin re edhe te deputeti Ymer Tola, i cili mbante afër një serum, të cilin e konsumonte herë pas here. Formulën për këtë grevë duket se e ka sjellë me vete Ndue Shpani, i cili nga një bisedë me një ish të burgosur kishte mësuar se “për të qëndruar një grevë 32 ditë pa ngrënë duhet, që tetë ditët e para të pish ujë, 8 ditët e dyta serum të ëmbël dhe 8 ditët e treta serum të kripur”. Por këtë recetë Shpani e shoqëron me shpresën se greva nuk do të arrijë deri në këtë pikë. Gjendja e rënduar vihej re qartë edhe te fiziku i deputetit Petro Koçi, i cili gjatë gjithë intervistës mbante dorën në kokë, por dhe mbështeste trupin plotësisht në një nga tavolinat e Kuvendit. Në gjendje pak më të pranueshme dukeshin kryetarët e dy partive, Ilir Meta dhe Nard Ndoka, por edhe Pëllumb Xhufi e Ndre Legisi si dhe deputeti Nikollaq Neranxi. Ajo që i bashkonte të dhjetë deputetët duket se ishte veshja e tyre sport, e rrallë kjo për ato ambiente, ku jemi mësuar të shohim përfaqësuesit e popullit, por e natyrshme për njerëz që jetojnë aty prej 5 ditësh. Në këto pesë ditë të para të grevës së deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Demokristiane dhe PS ’91, veç shmangies që u kanë bërë deputetët socialistë, nuk ka munguar as cinizmi ekstrem i ndonjërit prej tyre. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho tregoi mbrëmë për një mesazh, që i kishte ardhur nga nënkryetari i grupit parlamentar Partisë Socialiste. “Erion Braçe më çoi mesazh dhe më tha a hani ndonjë sufllaqe aty? Ndërkohë që në protestat e vitit 1996 fshihej pas meje dhe gruas sime, se kishte frikë mos e rrihnin...”. Megjithatë pavarësisht lodhjes së dukshme fizike, por edhe gjendjes psikologjike, ajo që deputetët e thonë me gjithë bindjen është çuarja e kësaj greve deri në fund e kjo duket se të bind pas fjalëve të Frrok Gjinit “vetëm të vdekur mund të dalim që këtu”.