E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arbën Thaçi çon filmin shqiptar në Festivalin e Nju Jorkut



“Behind the darkness” (Prapa territ), me regji të Arbën Thaçi nga Maqedonia përfaqëson prodhimin kinematografik shqiptar për të katërtën herë në këto vite në Festivalin Ndërkombëtar të Pavarur të Filmit dhe Videos që zhvillohet këto ditë në metropolin e botës, Nju Jork. Festivali do të fillojë më 19 shtator dhe do të mbyllet më 25 nëntor. Ky festival ka rëndësi të veçantë pasi ndiqet nga specialistë, komentatorë, artistë, regjisorë, kritikët, shtëpi filmike e producentë të njohur. Gjithashtu, filmat do të pasqyrohen pas shfaqjes së tyre në festival në faqet e të përditshmeve më prestigjoze amerikane si “The New York Post”, “New York Times”, “Daily News”, “LA Times”, “LA Weekly”, “Variety”, “Wall Street Journal”, “Movie Maker”, etj.
Festivali do të ketë nga të gjitha zhanret si metrazhi i gjatë dhe ai i shkurtër, dokumentarët, animacioni, eksperimentali, video-klipet, etj. Edhe kësaj radhe mikëpritësja është multikompleksi i kinemave në lagjen “Village East Cinema”, me numër 181, në rrugën e dytë “2nd Avenue”, kryqëzim me të 12 -tën, “12th Street” në Manhattan, zona “NY 10003” . Ky vend për 15 vitet e fundit është bërë skena e madhe e shfaqjeve botërore të të gjithë llojeve. Filmi “Prapa territ”, i Arbën Thaçi është një dramë psikologjike, e cila do të shfaqet pas një jave, të hënën më 22 shtator. Filmi zgjat 30 minuta dhe është një punim diplome i regjisorit Thaçi, ndërsa premiera e tij është dhënë gjatë muajit shkurt në kryeqytetin e Maqedonisë (Shkup). Në rolet kryesore të filmit interpretojnë Arsim Fazlia, Petrit Neziri, Muzafer Etemi dhe Mirlinda Saiti, ndërkohë që produksioni mban firëm e producentëve “Jontra”, “Oda” dhe “Arbfilm”.
B. SINA

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›