Debatik Curri: “Festova si i çmendur për golin e Canës”
Ka festuar për golin e Lorik Canës kundër Liverpulit në Ligën e Kampioneve, sikur Debatik Curri ta kishte shënuar vetë. “Kam ndjerë po aq gëzim për golin e Lorikut sa atëherë kur unë shënova kundër Holandës me Kombëtaren (2-1, në Amsterdam)”, - tha Debatik Curri për “Albania”-n nga Ukraina. “E pashë Marsejë-Liverpul (1-2) dhe m’u bë qejfi shumë për Canën. Ishte një gol me finesë e t’ia shënosh Liverpulit, nuk të ndodh shpesh. Të them të drejtën kam brohoritur si një ultras në shtëpi. Më erdhi shumë keq që humbën. S’ke çfarë t’i bësh i ka futbolli këto”. Curri duket në gjendje të “dehur”. “Edhe Arjani (Beqaj) bëri një ndeshje të madhe. Pashë “highlihts”-et e Verder Bremen-Anorthosis dhe Beqaj bëri disa pritje të shkëlqyera. Edhe Kombëtaren ka bërë paraqitje të mira. Është një garanci për ndeshjet e ardhshme. Dua të mos pësoj gol nga Interi, ose të paktën jo nga Ibrahimoviçi. Atij ja bëmë një herë 8-2 në Tiranë”, - shton me të qeshur Curri.
Debatik Curri pohoi se ndihet në superformë pak ditë përparë ndeshjes së Vorsklës “shqiptare” kundër Dnipro Dnipropetrovsk në kampionatin ukrainas, takim që do të luhet ditën e diel. Vorskla Poltava është duke bërë një sezon të mrekullueshëm, duke u renditur të tretët në kampionatin ukrainas me 14 pikë pas shtatë javësh, pas Metalurg Donjeckut (18) e Dinamos së Kievit (16).
“Sa u ktheva nga stërvitja, dhe nuk mund të rrija pa parë lajmet sportive shqiptare në internet, si ato që përcjellin faqet shqiptare ashtu edhe ato kosovare. Ne që jemi larg, kur jemi në shtëpi me këtë kalojmë kohën - thotë Curri për Albania-sport.com.
“Skuadra jonë vazhdon të bëjë ndeshje të mira, madje edhe në takimin e fundit për Kupën e Ukrainës fituam 1-0 kundër Zvezdës në transfertë (për 1/16). Si unë edhe (Armend) Dallku zhvilluam një lojë të pëlqyeshme. Dua të veçoj faktin se (Ahmed) Junuzi bëri një nga lojërat më të mira të tij. Është një futbollist që po rritet çdo ndeshje. Do të ishte një përforcim i mirë edhe për Kombëtaren U-21 të Shqipërisë”. Vorskla në javën e fundit fitoi 3-1 në transfertë kundër Iliçivets të vendit të fundit, ndërkohë që e pret në javën e tetë Dinpro.
“Është një ekip me përmasa të tjera. Edhe pse e kemi pas nesh në renditje, dy pikë më pak (12), por nuk është e lehtë ta mundësh. Sivjet luajti në Kupën UEFA. Gjithsesi, vitin e kaluar u ndamë të barabartë. Dnipro na mundi 1-0 në shtëpinë e saj, por e bëmë për të vjellë në fushën tonë. I mundëm 2-1, kryesonim 2-0 por ata arritën vetëm në minutat e fundit na shënuan golin”, - thotë Debatik Curri, një nga idhujt e rinj në Vorskla e që ka shënuar 2 nga 10 golat e Vorsklës në sezonin aktual, kundër Tavrias në javën e 4-t dhe më i rëndësishmi ai kundër Dinamos së Kievit në barazimin 2-2. “Ishte një gol i bukur ai kundër Dinamos së Kievit. Shënova në minutën e 80-të”. Curri pohoi se e kishte ndjekur ndeshjen midis Dinamos së Kievit e Arsenalit e vlefshme për Ligën e Kampioneve, takim i mbyllur në barazim 1-1. “Dinamo e Kievit bëri një ndeshje shumë të mirë, mund të edhe ta mbronte rezultatin, por pësuan gol në minutat e fundit. Dhe hajde mendoje që Kievit i kam bërë gol edhe unë”, - tha Curri i kërkuar nga disa klube angleze. “Ah se harrova, kam qejf të mundim Bylykbashin e Bulkun, por kemi kohë, pasi me ta është ndeshja e fundit”.
“Pikë me Hungarinë e Portugalinë”
Natyrshëm që tema e Kombëtares e ngacmon. “Morëm katër pikë. Nuk janë pak si fillim. Në Hungari shkojmë si liderë të grupit dhe të paktën mbërrijmë në Budapest me moral të lartë. Kundër Hungarisë e Portugalisë janë dy ndeshje vërtet të forta, por edhe mund të marrim pikë në këto ndeshje. Suedia ishte një provë e mirë për ne. Dy pikë ndoshta edhe i marrim”, - shton Curri, që pret të përballet me Kristiano Ronaldon kundër Portugalisë, më 15 tetor. Polivalenti Debatik Curri, zbulimi i Hans Peter Brigelit në ndeshjen ndërkombëtare kundër Gjeorgjisë (0-0) në Tiranë, flet edhe për rolin e tij në fushë te Vorskla, teksa në ndeshjet e fundit me Shqipërinë ka luajtur si qëndërmbrojtës. “Tani jam duke luajtur si mbrojtës i majtë te Vorskla, por më parë kam bërë edhe mesfushorin. Përsa i përket rolit tim si qëndërmbrojtës me Kombëtaren, dua të them se kam pak vështirësi edhe për shkak të ndryshimit të pozicionit, por gjithmonë mundohem për të dhënë maksimumin”
19 Shtator 2008