Ruzhdi Pulaha çon “Mjaltin e hidhur” në Elbasan
Një pjesë nga dramaturgu i njohur Ruzhdi Pulaha është caktuar që të startojë sezonin për teatrin “Skampa” në qytetin e Elbasanit. Bëhet fjalë për komdedinë e zezë “Mjalti i hidhur”, të shkruar nga Pulaha, që me regji të Milto Kutalit dhe aktrim të Alfred Trebickës, Eriona Kukelit, Rina Sojlit dhe Antoneta Dokas do të vihet në skenë. Tashmë puna përgatitore për shfaqjen në fjalë ka filluar dhe pritet që në fund të këtij muaji, premiera të jetë gati për tu shfaqur para publikut artdashës në qytetin e Elbasanit. Shfaqja do të ketë sigurisht nuancat e një komedie, por personazhet dhe ngjarjet pozicionohen në rrethana e situata të tilla që ndonëse të bëjnë për të qeshur, janë tepër të dhimbshme. Për këtë komedi të zezë, skenografia i është besuar Fatbardh Markut, kurse muzika Klement Markut. Bashkia e qytetit ka dhënë një buxhet prej 1.2 milionë lekësh për realizimin e kësaj shfaqjeje dhe të gjithë presin që të jetë një sukses, i cili do të rikthejë vëmendjen e munguar të publikut drejt teatrit “Skampa” të Elbasanit. Le të shpresojmë që do të jetë kështu!
Petrika GROSI
19 Shtator 2008