Arbër Qilimi: Nuk kam asnjë lidhje me Mihal Delijorgjin
Arbër Qilimi, ish-ushtarak dhe deputet i viteve 1997-2001, deklaron se nuk e ka takuar kurrë biznesmenin gjirokastrit Mihal Delijorgji. "E di se kush është Mihal Delijorgji, siç e dinë të gjithë në Shqipëri, por nuk kam njohje me atë njeri. Nuk jam takuar dhe nuk kam biseduar kurrë me të. Nëse ka një njeri që mendon të kundërtën, le të dalë e të thotë se më ka parë qoftë edhe njëherë të vetme me Delijorgjin", thotë ish-deputeti delvinjot. Emri i Arbër Qilimit u përmend disa ditë më parë në një artikull të gazetës "Shqip", si një nga njerëzit që kishin mbështetur Mihal Delijorgjin në vitin 1997 e më pas. Gazeta u referohej thënieve të një ish-oficeri të Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), i cili për shkak të detyrës që ka pasur, nuk mund të identifikohej me emër. Por, zoti Qilimi i konsideron të pavërteta thëniet e ish-oficerit të SHIK-ut, duke deklaruar se nuk e ka takuar kurrë Mihal Delijorgjin dhe nuk ka asnjë lidhje me të. Për të përforcuar pohimin e tij, ish-nënkryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Kuvendin e Shqipërisë fton çdokënd që pretendon të kundërtën të dalë e të provojë publikisht lidhjet Qilimi-Delijorgji.