E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji, misteri pse u gjykua nga ushtarakët

Ndonëse nuk është ushtarak, as rob lufte dhe as person me cilësi të veçanta, siç përcaktohet në ligjin që rregullonte funksionimin e gjykatës së apelit ushtarak, biznesmeni Mihal Delijorgji është gjykuar nga një trupë gjykuese në përbërje të së cilës kanë qenë vetëm gjyqtarë ushtarakë. Çështja Delijorgji ka zbardhur një tjetër skandal, atë të gjykimit të çështjeve penale, madje dhe civile nga gjyqtarët ushtarakë, në emër të lehtësimit nga mbingarkesa e punës së gjyqtarëve të gjykatave civile joushtarake.

Absurdi shkon dhe më tej, kur mëson se gjyqtarët ushtarakë kanë gjykuar edhe çështje civile, përfshirë divorcet, apo mosmarrëveshje tregtare e të tjera çështje të këtij lloji. Ky delegim kompetencash është bërë kryesisht për shkak të mbingarkesës me çështje të gjyqtarëve të Apelit joushtarak. Në vlerësimin e njerëzve të fushës së drejtësisë në Durrës, gjykimi i Delijorgjit, por edhe i çështjeve të tjera nga gjyqtarë ushtarakë, konsiderohet i parregullt. Por, siç ndodh rëndom në Shqipëri, është lënë një hapësirë ligjore, ndonëse evazive, që nuk e pengon gjykimin e çështjeve penale nga togat e zeza ushtarake.

Ka shumë çështje penale të gjykuara nga Apeli Ushtarak për shkak të ngarkesës së gjykatave civile të Apelit, kryesisht ato të Tiranës dhe Durrësit. Duke u gjetur hapësira ligjore komandoheshin gjyqtarët ushtarakë të Apelit, të cilët ishin të lirë për të shqyrtuar vendimet e gjykatave civile të shkallës së parë dhe marrë vendime mbi rregullsinë e tyre.

Problemi që shtrohet është nëse duhet që gjykimi të delegohet në gjyqtarë të Apeleve të tjera civile në vend, apo në gjyqtarë të Apelit Ushtarak. Ka një mori të çështjeve të gjykuara nga Apeli Ushtarak në këto kushte. Për rastin Delijorgji, në prokurorinë dhe gjykatën e rrethit të Durrësit, vendimi i Apelit i përfaqësuar në këtë rast nga treshja e gjykimit ushtarak nuk qe aspak i mirëpritur. Një punë e gjatë e hedhur dëm duke u mbyllur me pafajësi dhe moscenim financiar të personit dhe subjektit të akuzuar dhe të dënuar në shkallën e parë.

A është e drejtë që të ndodhin gjykime të kësaj natyre? Mbi problemin duhet të prononcohet patjetër Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për të sqaruar arsyen pse gjyqtarët ushtarakë gjykojnë çështje penale dhe çështje civile. Në Shqipëri ka funksionuar kjo veprimtari, por asnjëherë nuk është bërë publike. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e kontaktuar nga gazeta, të cilët nuk preferojnë të dalin me emër, deklarojnë se angazhimi i gjyqtarëve ushtarakë në çështje civile dhe penale nuk është i drejtë.

Të paktën moralisht, pasi për aq kohë sa ligji të lejojë hapësira të interpretueshme në varësi të situatave, gjithçka mund të ndodhë, përtej konstatimit nëse është e drejtë apo jo ajo që ndodh. Megjithatë, në ligj thuhet se gjyqtarë të caktuar për shkak të ngarkesës mund të lëvizin nga seksioni në seksion në varësi të dhomave civile dhe penale.

Kështu, gjyqtarët e një seksioni të dhomës civile mund të gjykojnë çështje të seksioneve të tjera brenda dhomës, apo dhe një civilist të gjykojë çështje penale, po nuk është e drejtë që gjyqtarë ushtarakë të lejohen të gjykojnë çështje të gjykatave civile, gjë që nuk ndodh anasjelltas. Pavarësisht kësaj problematike të mprehtë në drejtësinë shqiptare, burime nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës bëjnë të ditur se me ligjin e ri Gjykata Ushtarake e Apelit suprimohet.

Prokuroria e Durrësit mbyll gojën për dosjen "Delijorgji"

Ndonëse i është drejtuar Gjykatës së Lartë për të shqyrtuar vendimin e marrë nga Apeli i Durrësit, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës ka preferuar të heshtë lidhur me çështjen "Delijorgji". Prokurori i çështjes, Ilir Turja, i është shmangur komunikimit, duke deklaruar se komunikimi duhet të bëhet nëpërmjet prokurorit të rrethit, i cili sipas sekretares së re të tij ka qenë vazhdimisht në mbledhje pune.

Prokurori Turja, në pretencën e tij në vitin 2006, përtej parashikimit të neneve përkatëse në të cilat mbështeteshin akuzat për Delijorgjin, ka dhënë minimumin e dënimit të parashikuar në to. Të dyja nenet parashikojnë dënimin nga gjobë, deri në heqjen e lirisë për 5 vjet. Akuza e përfaqësuar nga ky prokuror ka kërkuar dënimin me gjobë 10 milionë lekë të reja, kërkesë që është lënë në fuqi nga gjykata. Burime nga Prokuroria e Durrësit bëjnë të ditur se ka një urdhër të prokurores së Përgjithshme Ina Rama, që ndalon komunikimin me median të prokurorëve, në mënyrë që të mos dëmtohen hetimet, po për këtë rast hetimet quhen të mbyllura dhe dosja e gjykuar në dy shkallë të gjyqësorit durrsak. Ngjarja e Gërdecit dhe hetimet e rikthyera fort në vëmendjen e publikut për biznesmenin Delijorgji e kanë kthyer situatën në mjaft specifike dhe delikate njëkohësisht. Pikërisht kjo delikatesë e çështjes dhe paqartësia e shprehur në disa nga deklaratat e Prokurorisë së Përgjithshme për Delijorgjin dhe prokurorët e angazhuar në hetimin më të fundit të këtij personi dhe bizneseve të tij, ka zbritur edhe në Durrës. Aty ku është kryer hetimi për akuzat e para ndaj tij, të cilat datojnë në vitin 2000, për t‘u pasuar nga ato të vitit 2004. Dhe si për të vazhduar ciklin 4-vjeçar, Delijorgji kthehet në prokurori me një tjetër ngjarje dhe akuzë. Gjithsesi, përtej kufizimit të komunikimit me median, prokuroria e ka bërë punën e saj. Ka kundërshtuar vendimin e Apelit që shpall të pafajshëm Delijorgjin, duke rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit, që e dënonte atë me 10 milionë lekë të reja gjobë që në dhjetor të vitit 2006.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›