E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, thikë në zemër 27-vjeçarit

Një i ri nga Berati është gjetur i vrarë me thikë dje, në periferi të qytetit. Trupi i pajetë i Ilir Zhukës, 27 vjeç, është parë në orët e para të mëngjesit nga një kalimtar. Policia, që shkoi menjëherë në vendngjarje, deklaroi se bëhet fjalë për një vetëvrasje të mundshme, por nuk përjashtohet pista e një vrasjeje.

Hetimet

Pak orë pas ngjarjes, policia bëri të ditur nëpërmjet zëdhënësit se 27-vjeçari Ilir Zhuka, banor i lagjes "Barrikadë" të qytetit të Beratit është gjetur i vdekur, pasi një plagë në zemër i kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ai u gjet rreth orës 03:30 nga një banor i lagjes, vetëm 50 metra larg banesës së tij i pajetë dhe me një armë të ftohtë në trup. Ekspertët e policisë, pas hetimeve të para deklaruan se bëhet fjalë për një vetëvrasje. 27-vjeçari është parë mbrëmjen e djeshme të largohej nga banesa e tij, ndërkohë që mësohet të ketë pasur një grindje me të ëmën. Familja Zhuka jeton prej vitesh në varfëri të plotë, pasi 27-vjeçari ishte i papunë. Alldëzi, nëna jetonte vetëm me djalin e vogël, pasi dy djemtë e tjerë kishin krijuar familjet e tyre. Ajo dhe i biri, Iliri, përballeshin me vështirësi të mëdha ekonomike. Pikërisht gjatë mbrëmjes së të mërkurës, në familjen Zhuka ka pasur një grindje për problemet ekonomike. Pas kësaj grindjeje, Ilir Zhuka është larguar nga shtëpia dhe dyshohet t‘i këtë dhënë fund jetës duke ngulur thikën në zemër.

Por mënyra e vrasjes ka hedhur dyshimet se nuk bëhet fjalë për një vetëvrasje, por për një vrasje të mundshme nga persona ende të panjohur. Një tjetër fakt që ka çuar policinë në pistën e vrasjes, është se 27-vjeçari është vëllai i Dritan Zhukës, një prej kriminelëve të njohur të Beratit gjatë vitit 1997. Dritan Zhuka, i njohur ndryshme me emrin Shuaipi, pas vitit 1997 ka qenë në kërkim policor për pjesëmarrje në disa ngjarje të rënda, por ai mbeti i vrarë në vitin 2002 dhe nuk u përball me drejtësinë. Ndonëse sipas policisë, 27-vjeçari ka qëlluar veten me thikë në zemër, fakti që ai ka qenë vëllai i të shumëpërfolurit për ngjarjet e vitit 1997, ka bërë që të hidhen dyshimet se ai mund të jetë vrarë për motive hakmarrjeje.

Vëllai

Dritan Zhuka mbeti i vrarë në vitin 2002 gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë, në një aksion për arrestimin e tij. Ish-drejtori i Policisë së Qarkut Berat, Ilirian Dida, është duke u gjykuar nga Gjykata e Faktit në Berat, pasi akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për përfshirje në vrasjen e "Shuaipit". Në vitin 2002, ish-drejtori i policisë drejtonte aksionin për arrestimin e të kërkuarit Dritan Zhuka, por ai akuzohet se qëlloi ndaj tij pa mbërritur ende forcat RENEA të njoftuara për operacionin. Të kërkuarit i ishte bërë pritë nga policia në vendin e quajtur Bostanët, në hyrje të Beratit ku ai ngeli i vrarë si pasojë e një shkëmbimi zjarri, version i cili është nën hetim. Tashmë që Ilirian Dida është ende në gjykim për vrasjen e Zhukës, vëllai i tij gjendet i vrarë, ndonëse nuk ka pasur probleme me drejtësinë asnjëherë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›