Greqi, dënohen policët që rrahën shqiptarët
Gjykata Ushtarake e Athinës ka shkarkuar nga të gjitha gradat ushtarake katër policët, që u shfaqën në videon e dhunës ndaj dy të miturve në rajonin policor të OMONIA-s. Vendimi u mor pasditen e së enjtes. Sipas informacioneve të para, policit protagonist të dhunës ndaj dy të ndaluarve në vitin 2006 si të dyshuar për vjedhje, u mor edhe masa e largimit përgjithmonë nga çdo funksion shtetëror dhe ushtarak. 30-vjeçari Nikos Xiras, duket në videon që shokoi gjithë opinionin, teksa qëllonte dhe persekutonte dy të rinjtë. Ndaj tij rëndon edhe akuza e dhunës. E njëjta masë u mor edhe për policin që filmoi pamjet me celularin e tij dhe i publikoi ato në internet. Masa e pushimit nga puna u mor edhe për dy policë të grupit të gatshëm, të cilët nuk bënë asgjë për të ndaluar dhunën, por ata mund të kenë mundësi të ruajnë gradat e tyre, çka mundëson ripunësimin e tyre në forcat e policisë. Masa e uljes në detyrë u mor edhe për shefin e këtij rajoni.