Arbnori: Avokati të ketë më shumë të drejta
08/03/2005 Deputeti i PD, Pjetër Arbnori, deklaron se Avokatit të Popullit duhet t'i rriten kompetencat, me qëllim që ky institucion të mos mbetet vetëm në rolin e konstatuesit, kur bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të njeriut. Sipas Arbnorit, megjithëse Avokati i Popullit ka bërë një punë të mirë në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Shqipëri, sërish ato vazhdojnë të dhunohen, kryesisht nga forcat e policisë. "Raporti në përgjithësi nuk ishte i keq. Vihet re që Avokati i Popullit ka punuar me aq sa ka mundur dhe sa i lejojnë kompetencat për të kryer detyrën e vet. Avokati i Popullit në Shqipëria ka vështirësi në kryerjen e detyrës së tij, sepse gjendet përballë një situate, ku janë të shumta vërejtjet, qoftë nga ndërkombëtarët, qoftë nga partitë e ndryshme politike shqiptare. Unë jam pro rritjes së kompetencave të Avokatit të Popullit. Këto kompetenca do të kenë të bëjnë me një farë detyrimi, që duhet të kenë institucionet, që, sipas Avokatit të Popullit, shkelin hapur të drejtat e njeriut", tha Arbnori.