Beja: Të zbatohen rekomandimet
08/03/2005 Sekretari për Burimet Njerëzore në PD, Fatos Beja, tha dje se raporti voluminoz i paraqitur nga Avokati i Popullit shpreh qartë shkeljet, që i bëhen çdo ditë shoqërisë shqiptare nga institucionet shtetërore. Sipas tij, përpara se të flitet për ndryshimin e statusit të Avokatit të Popullit, duhet që administrata shtetërore të zbatojë rekomandimet e tij, pasi arma kryesore e këtij institucioni është rekomandimi dhe konstatimi. "Unë dua të theksoj se ky raport tregon se shkeljet, që i bëhen shoqërisë dhe qytetarit shqiptar janë kaq të shumta sa mund të konsiderohen në nivel shqetësues si nga sasia, ashtu dhe nga veçoritë e tyre. Në lidhje me ndryshimin ligjor të statusit të Avokatit të Popullit, unë gjykoj që kjo është një çështje shumë e diskutueshme, sepse ka të bëjë me ligjin. Unë gjykoj që, në radhë të parë, duhet që institucionet shqiptare të zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit, pasi ato janë rekomandime që dalin nga një analizë ekspertësh të rasteve konkrete dhe të mos i kalojnë ato pa u marrë me to dhe pa bërë asgjë në lidhje me rekomandimet", tha Beja.