E Hënë, 2 Nëntor 2026

Liberalizmi “në shënjestër”

08/03/2005  Nga fundi i shekullit, liberalizmi u sulmua në të gjitha frontet. Nacionalistë dhe imperialistë e dënuan, sepse promovonte një paqe të pashije në vend të një përplasjeje energjike dhe titanike midis kombeve. Socialistët e sulmuan, sepse mbështeste një sistem “anarkik” tregu të lirë, në vend të planifikimit qendror “shkencor”. Deri dhe krerët e kishës e shkarkuan për egotizmin dhe materializmin e supozuar të tij

Kur Herbert Spenser filloi të shkruajë në vitet Dyzet të Tetëqindës, shikonte nga e ardhmja si në një epokë progresi universal në të cilën aparati shtrëngues i shtetit praktikisht do të zhdukej. Vitin 1898, William Graham Samnër, një ndjekës amerikan i tij, ithtar i shkëmbimit të lirë dhe mbrojtës i gold standard, shikoi më shqetësim në rrugën e imperializmit dhe të intervencionizmit global, me të cilat Shtetet e Bashkuara kishin filluar luftën hispano–amerikane: me tallje, e titulloi "The Conquest of the United States by Spain"

Në vitet Shtatëdhjetë e Tetëdhjetë, përballë dështimit evident të planifikimit socialist dhe të programeve ndërhyrëse, liberalizmi klasik u bë një lëvizje me shtrirje botërore. Në vendet perëndimore dhe më pas, në mënyrë të pabesueshme, në vendet e ish-Traktatit të Varshavës, pati liderë politikë të gatshëm deri të quheshin dishepuj të Hajekut e Fridmanit.

Vijon nga numri i kaluar

Frédérik Bastiá gdhendi në shkrime tashmë klasike arsyet e shkëmbimit të lirë, të mosndërhyrjes dhe të paqes. Historianë liberalë si Tomas Mëkoli e Ogustin Tierí zbuluan rrënjët e lirisë në Perëndim. Më tej gjatë shekullit, teoria ekonomike e tregut të lira fitoi një pretekst të sigurtë shkencor, falë ekonomistëve të së ashtuquajturës “shkollë austriake”, inauguruar nga Karl Menger. Marrëdhënia midis liberalizmit dhe religjionit paraqiste një problem të veçantë. Në Evropën kontinentale dhe në Amerikën Latine, mendimtarët e lirë liberalë herëpasëhere e përdornin pushtetin e shtetit për të reduktuar influencën e kishës katolike, kur ndonjë lider fuste në valle ide të caktuara të vjetra teokratike.

Por mendimtarë liberalë si Benxhamin Konstant, Aleksis dë Tokëvil e Lord Ekton ditën që të shkojnë përtej grindjesh të tilla të kota. Ata evidentuan rolin vendimtar që religjioni, i ndarë nga pushteti politik, mund të luante në frenimin e rritjes së shtetit të centralizuar. Në këtë kuptim, ata përgatitën terrenin për pajtimin midis lirisë dhe besimit fetar. Pastaj, për arsye akoma pak të qarta, batica filloi të ecte në sens të kundërt me liberalët. Një pjesë e motivit është sigurisht rritja e një klase të re intelektualësh që proliferonte kudo. Fakti që ia detyrojnë ekzistencën e tyre mirëqenies së gjeneruar nga sistemi kapitalist nuk i pengoi ata që të sulmonin rreptë kapitalizmin, duke i ngarkuar fajin për të gjitha problemet, që arrinin të gjenin në shoqërinë moderne. Njëkohësisht, problematika të tilla u huazuan nga funksionarët shtetërorë, të dëshiruar që të zgjeronin dominionet e tyre.

Ekspansioni i demokracisë ndoshta ka kontribuar në rënien e liberalizmit, duke rënduar një aspekt të vjetër të politikës: betejën për të siguruar privilegje të veçanta. Sipërmarrës sindikata, bujq dhe grupe të tjera interesi e bënin me garë që të fitonin privilegje dhe gjetën demagogë intelektualë të gatshëm të arsyetonin idetë e tyre. Për të përdorur fjalët e Uilliam Grahëm Samnër, zona e kontrollit shtetëror krijohet në kurriz të "njeriut të harruar" – individi i heshtur dhe produktiv që nuk i kërkon asnjë favor qeverisë dhe, me punën e tij, mban në këmbë të gjithë barakën. Nga fundi i shekullit, liberalizmi u sulmua në të gjitha frontet. Nacionalistë dhe imperialistë e dënuan, sepse promovonte një paqe të pashije në vend të një përplasjeje energjike dhe titanike midis kombeve. Socialistët e sulmuan, sepse mbështeste një sistem “anarkik” tregu të lirë në vend të planifikimit qendror “shkencor”. Deri dhe krerët e kishës e shkarkuan për egotizmin dhe materializmin e supozuar të tij.

Në Amerikë dhe në Britaninë e Madhe, reformatorët socialë imagjinuan në fillim të shekullit të ri një lëvizje veçanërisht të zgjuar. Në çdo vend tjetër, ithtarët e ndërhyrjes shtetërore dhe të sindikalizmit shtrëngues do të quheshin “socialistë”, apo “socialdemokratë”. Por, pasi që anglofonët e demostruan, cilado qoftë arsyeja, një lloj urrejtje për ato etiketa, ata morën pa leje termin “liberal”. Megjithëse kishin luftuar deri në fund, një qëndrim pakënaqësie infektoi liberalët e vërtetë e mëdhenj të fundit. Kur Herbert Spenser filloi të shkruajë në vitet Dyzet të Tetëqindës, shikonte nga e ardhmja si në një epokë progresi universal, në të cilën aparati shtrëngues i shtetit praktikisht do të zhdukej. Në vitin 1884, Spenser mundi të nënshkruante një esé të titulluar “The Corning Slavery”.

Në vitin 1898, William Graham Samnër, një ndjekës amerikan i tij, ithtar i shkëmbimit të lirë dhe mbrojtës i gold standard, shikoi më shqetësim në rrugën e imperializmit dhe të intervencionizmit global, me të cilat Shtetet e Bashkuara kishin filluar luftën hispano–amerikane: me tallje, e titulloi "The Conquest of the United States by Spain" përgjigjen e tij ndaj këtij konflikti. Kudo në Evropë pati një prapaktheu drejt politikave të shtetit absolutist, ndërsa burokracitë e qeverisë zgjeroheshin. Në të njëjtën kohë, antipatitë xheloze midis Fuqive të Mëdha çuan në një garë frenetike armatimesh dhe blenë kërcënimin e luftës. Në vitin 1914, një vrasës serb bëri të shkrepej shkëndia e grumbullit të armiqësive dhe dyshimeve. Rezultati qe lufta më e tmerrshme e historisë deri në atë moment.

Në vitin 1917, një President amerikan i dëshiruar të krijojë një Rend të Ri Botëror, e futi vendin e tij në konfliktin gjakatar. "Lufta është shëndeti i shtetit", paralajmëroi shkrimtari radikal, Rendolf Bourn. Kështu qe. Kur masakra e arriti fundin, shumë besonin se liberalizmi klasik ndoshta tashmë ishte një ideal i varrosur. Lufta e Parë Botërore është ndarësja e shekullit të Njëzet. E mbushur me ide dhe politika antiliberale (nga militarizmi te proteksionizmi), Lufta e Madhe i hapi shtegun çdo forme statalizmi. Në Evropë dhe në Amerikë, tendenca e ndërhyrjes shtetërore pësoi një përshpejtim, ndërsa qeveritë thërrisnin nën armë, censuronin, bënin zgjedhje inflacioniste, rrisnin male borxhesh, kooptonin sipërmarrës e punëtorë dhe gëzonin kontrollin e ekonomisë. Kudo intelektualët “progresistë” i shikonin ëndrrat e tyre të merrnin formë.

Liberalizmi i vjetër i laissez-faire kish vdekur, ulërinin, dhe e ardhmja i përkiste kolektivizmit. Pyetja e vetme duket se ishte: kujt kolektivizmi? Në Rusi, kaosi i luftës i mundësoi një grupi të vogël revolucionarësh marksistë të merrnin pushtetin dhe të ngrinin shtabin e përgjithshëm të revolucionit botëror. Në shekullin e Nëntëmbëdhjetë, Karl Marksi kish plazmuar një religjion shekullar të pajisur me një sharm të madh. Ai premtonte çlirimin përfundimtar të njeriut, falë zëvendësimit të botës komplekse dhe shpesh frustruese të ekonomisë së tregut me kontrollin e vetëdijshëm dhe “shkencor”.

I vënë në praktikë në Rusi, nga Lenini dhe Trocki, eksperimenti ekonomik marksist rezultoi një katastrofë. Për shtatëdhjetë vitet e ardhshme, qeveritarët e kuq qepën njërën copë pas tjetrës, por frika i mbajti qëndrueshmërisht përsipër dhe përpjekja më e madhe propagandistike e historisë i bindi intelektualët (si në Perëndim, ashtu dhe në emergjenten Botë të Tretë) se përkundrazi komunizmi përfaqësonte “të ardhmen e shkëlqyer të njerëzimit”. Traktatet e paqes të nënshkruara nga Presidenti Uillson me liderët e tjerë aleatë e lanë Evropën si një kazan urrejtjeje dhe mërie në flakë. Të tërhequr nga demagogët nacionalistë dhe të tmerruar nga kërcënimi komunist, miliona evropianë iu drejtuan atyre formave të adhurimit shtetëror të quajtura fashizëm dhe nacionalsocializëm (ose nazizëm). Megjithëse të barsura me gabime ekonomike, këto doktrina premtonin begatinë dhe pushtetin kombëtar, nëpërmjet kontrollit integral të shtetit mbi shoqërinë, ndërsa përgatisnin luftëra gjithnjë e më të shumta e më të mëdha. Në vendet demokratike, forma më të pastra të statalizmit qenë rregulli.

Më e rrezikshmja e të gjithave qe ajo e shpikur në Gjermani, në vitet Tetëdhjetë të Tetëqindës. Në këtë vend, Oto von Bismark, Kancelari i Hekurt, krijoi një seri sistemesh sigurimi kundër pleqërisë, invaliditetit, incidenteve dhe sëmundjeve, të gjitha të menaxhuara nga shteti. Liberalët gjermanë të kohës menduan se këto plane qenë qenë një ndryshim i thjeshtë kursi drejt paternalizmit të monarkive absolute. Bismarck ia hodhi mirë dhe shpikja e tij – shteti social – më së fundi u kopjua në të gjithë Evropën, përfshi vendet totalitare. Me “New Deal” shteti social zbarkoi në Amerikë. Pavarësisht kësaj, pronësia private dhe shkëmbimi i lirë vazhduan të ishin parimet organizative të ekonomive perëndimore. Konkurrenca, objektivi i fitimit, akumulimi konstant i kapitalit (përfshi kapitalin njerëzor), shkëmbimi i lirë, përmirësimi i tregjeve, specializimi në rritje – gjithçka punonte për të promovuar efikasitetin e progresin teknik dhe bashkë me to një nivel më të lartë jetese të njerëzve.

Kjo makinë kapitaliste produktiviteti e tregua aq e fortë dhe rezistente, sa ndërhyrja e gjerë shtetërore, sindikalizmi detyrues, deri depresionet e gjeneruara nga qeveria dhe luftërat nuk arritën ta frenojnë rritjen ekonomike në periudhën afatgjatë. Vitet Njëzet dhe Tridhjetë përfaqësuan momentin më të errët për lëvizjen liberale klasike të Nëntëqindës. Sidomos pasi që pretendimi i qeverisë për t’u përfshirë në sistemin monetar çoi në rënien e vitit 1929 dhe në Depresionin e Madh, sipas asaj që u tha historia e kish ezauruar kapitalizmin kompetitiv dhe, së bashku me të, filozofinë liberale. Në qoftë se do të duhet të zgjidhet një datë për rilindjen e liberalizmit klasik, ajo do të ishte 1922, viti i botimit të "Socialism" nga ana e ekonomistit austriak, Ludvig von Mises.

Ndër mendimtarët më të rëndësishëm të shekullit, Mises qe edhe një njeri me kurajo të madhe. Më këtë libër, ai u hidhte dorezën e sfidës armiqve të kapitalizmit. Faktikisht, ai thoshte: "Ju akuzoni sistemin e pronësisë private se shkakton të gjitha të këqijat sociale, të cilat vetëm socializmi mund t'i shërojë. Mirëpo a do të ishit aq të sjellshëm sa të bënit diçka, që nuk keni denjuar ta bëni asnjëherë më parë: do të mund të na shpjegonit se si mundet një sistem kompleks ekonomik të funksionojë në mungesë të tregjeve dhe, për pasojë, të çmimeve, për të mirat kapitale?".

Mises demonstroi se llogaria ekonomike pa pronësinë private ishte e pamundur dhe e paraqiti socializmin si iluzioni i apasionuar që ishte. Sfida e Mises ndaj ortodoksisë hegjemone u hapi mendjen mendimtarëve evropianë dhe amerikanë. F.A.Hajek, Vilhelm Rëpke dhe Lajonel Robins janë midis atyre që Mises i konvertoi në tregun e lirë. Veç kësaj, gjatë karrierës së tij mjaft të gjatë, Mises përpunoi dhe rishikoi teorinë e tij ekonomike dhe filozofike sociale, duke u bërë mendimtari më i rëndësishëm liberal klasik i shekullit të Njëzet. Në Evropë dhe sidomos në Shtetet e Bashkuara, disa individë dhe grupe të izoluar mbajtën të gjallë diçka nga pasuria liberale. Në London School of Economics dhe në Chicago Univesity, edhe në vitet Tridhjetë e Dyzet, mund të gjendeshin akademikë të gatshëm të mbronin të paktën vlefshmërinë bazë të idesë së sipërmarrjes së lirë.

Në Amerikë, një brigadë luftarake shkrimtarësh brilantë, për më shumë gazetarë, mbijetoi. Sot të njohur si "Old Right", midis tyre qenë Albert Xhei Nok, Frank Çodorov, H.L. Menken, Feliks Morli e Xhon T. Flyn. Të nxitur në veprim nga implikacionet totalitare të “New Deal" të Frenklin Ruzveltit, këta shkrimtarë vazhduan kredon tradicionale amerikane të lirisë individuale dhe të mosbesimit përbuzës të qeverisë. Me të njëjtën mënyrë, ata urrenin politikën ruzveltiane të intervencionizmit global, duke e konsideruar një përplasje me Amerikën republikane.

E mbështetur nga disa botues dhe afaristë kurajozë, "Old Right" mbajti të ndezur flakën e idealeve xhefersoniane në ditët e errëta të “New Deal” dhe të Luftës së Dytë Botërore. Me përfundimin e konfliktit, mori forma disi të ngjashme me një lëvizje. Fillimisht e vogël, ajo do të ushqehej nga korrente të ndryshme. "The Road to Serfdom" i Hajek, i botuar në vitin 1944, bëri që mijëra njerëz të kuptonin se, duke ndjekur politika socialiste, Perëndimi rrezikonte të humbiste qytetërimin e tij tradicionalisht të lirë. Në vitin 1946, Leonard Rijd i dha jetë në Irvington (New York) “Foundation for Economic Education”, duke botuar punimet e Henri Hezlitit dhe të kampionëve të tjerë të tregut të lirë. Mises e Hajek, të dy në Shtetet e Bashkuara, vazhduan në përpjekjet e tyre.

Hajek drejtoi fondacionin “Mont Pelerin Society”, një grup studiuesish liberalë klasikë, aktivistë dhe njerëz të biznesit të ardhur nga e gjithë bota. Mises, mësues i pakalueshëm, organizoi një seminar në New York University, duke tërhequr studentë si Marrei Rotbard e Israel Kirzner. Rotbard shkoi më tej dhe pajtoi intuitat e ekonomistëve austriakë me mësimet e ligjit të natyrës, duke konceptuar kështu një sintezë të fuqishme që tërhoqi shumë të rinj.

Në University of Chicago, Milton Fridman, Xhorxh Stigler dhe Aaron Direktor drejtuan një grup ekonomistësh liberalë klasikë, specialiteti i të cilëve ishte të zbulonin defektet e aksionit të qeverisë. Romancierja e madhe Ejn Rand i përmblodhi me emfazë të madhe temat libertare në bestsellerat e saj dhe bile formoi një shkollë filozofike. Reagimi ndaj rinovimit të liberalizmit autentik nga ana e së majtës – "liberals" ose më mirë establishmenti socialdemokrat – qe sa i parashikueshëm, aq edhe i egër. Për shembull, në vitin 1954, Hajek nxori një vëllim të titulluar "Capitalism and the Historians", një koleksion me ese studiuesish të rëndësishëm që përqëndroheshin mbi interpretimin kryesisht socialist të Revolucionit Industrial.

Një revistë akademike i lejoi Artur Shlezinger, Jr., docent në Harvard dhe new deal-ist i çartur, ta brutalizojë librin me këto terma: "Amerikanët kanë tashmë mjaft probleme me MekKartwt e shtëpisë së tyre pa ju dashur të importojnë profesorë vjenezë dhe t'i japin dinjitet akademik një procesi të tillë". Estabilishmenti tentoi të mbysë në heshtje punime të tjera. Deri në vitin 1962, asnjë gazetë apo revistë e vetme e një rëndësie të caktuar nuk zgjodhi të recenzojë "Capitalism and Freedom" të Fridmanit. Pavarësisht kësaj, shkrimtarët e aktivistët që morën pjesë në rilindjen e liberalizmit klasik, gjetën një interes gjithnjë e më të madh te publiku. Miliona amerikanë të të gjitha moshave kishin mbajtur në heshtje vlerat e tregut të lirë dhe të pronësisë private gjatë të gjithë asaj kohe. Prania në rritje e një trupe të qëndrueshme intelektualësh u jepte tani shumë prej këtyre qytetarëve forcën që të rreshtoheshin hapur për ato ide që prej aq shumë kohësh i kishin përkëdhelur.

Në vitet Shtatëdhjetë e Tetëdhjetë, përballë dështimit evident të planifikimit socialist dhe të programeve ndërhyrëse, liberalizmi klasik u bë një lëvizje me shtrirje botërore. Në vendet perëndimore dhe më pas, në mënyrë të pabesueshme, në vendet e ish-Traktatit të Varshavës, pati liderë politikë të gatshëm deri të quheshin dishepuj të Hajekut e Fridmanit.

Dora-dorës, që afrohej fundi i shekullit, liberalizmi i vjetër autentik ishte i gjallë e i fortë, më i fortë nga sa kish qenë ndonjëherë gjatë 100 viteve të mëparshme. Megjithatë, në vendet perëndimore shteti vazhdon në ekspansionin e tij të çfrenuar, duke kolonizuar një zonë të jetës shoqërore pas tjetrës. Në Amerikë, republika po bëhet gjithnjë e më shumë një kujtim i venitur, ndërsa burokratët federalë dhe planifikuesit globalë akumulojnë gjithnjë e më shumë pushtet në qendër. Kështu që përpjekjet vazhdojnë, ashtu siç duhet. Dy shekuj më parë, kur liberalizmi ishte akoma i ri, Tomas Xheferson, tashmë na kish informuar se cili ishte çmimi i lirisë.

Ralf Raiko

Ralf Raiko është Profesor of European History në State University of New York College, në Bafalo. Ka marrë Ph.D.-në e tij nga University of Chicago, Committee on Social Thought, kur kreu i komitetit të dizertacionit të tij ishte F.A. Hajek. Midis artikujve dhe eséve të Dr. Raico-s janë: "Rethinking Churchill" tek The Costs of War, Xhon V. Denson; "Austrian Economics and Classical Liberalism," tek Advances in Austrian Economics, vol. II; "The Theory of Economic Development and the 'European Miracle,'" te The Collapse of Economic Planning, Piter J. Bëtke.; "Classical Liberal Roots of the Marxist Doctrine of Classes", te Requiem for Marx, Juri N. Malcev dhe Classical Liberalism in the Twentieth Century. Dr. Raiko ka kontribuar gjithashtu me The Review of Austrian Economics, Zeitschrift fur Wirtschaftspolitik, Cato Journal dhe gazeta të tjera stduimore. Ai është përkthyesi i Liberalism të Ludwig von Misesit dhe i eséve të F.A. Hajekut të përfshira te Collected Works e këti të fundit. Dr. Raiko ka qenë editor i New Individualist Review dhe senior editor i Inquiry. Ka dhënë leksione gjerësisht në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, si dhe është bashkëpunëtor në Social Thought te Cato Institute.

“Ringjallja”

Dora-dorës, që afrohej fundi i shekullit, liberalizmi i vjetër autentik ishte i gjallë e i fortë, më i fortë nga sa kish qenë ndonjëherë gjatë 100 viteve të mëparshme. Megjithatë, në vendet perëndimore shteti vazhdon në ekspansionin e tij të çfrenuar, duke kolonizuar një zonë të jetës shoqërore pas tjetrës. Në Amerikë, republika po bëhet gjithnjë e më shumë një kujtim i venitur, ndërsa burokratët federalë dhe planifikuesit globalë akumulojnë gjithnjë e më shumë pushtet në qendër. Kështu që përpjekjet vazhdojnë, ashtu siç duhet. Dy shekuj më parë, kur liberalizmi ishte akoma i ri, Tomas Xheferson tashmë na kish informuar se cili ishte çmimi i lirisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›