E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arbnori dhe Zaçe mbesin jashtë listës

08/05/2005  Nënshkruhet marrëveshja. Ndoka, i PDR, merr Shkodrën, kandidati i PDK-së në Patos

Nikollë Lesi dhe Genc Pollo firmosin koalicionin me Partinë Demokratike

PD ka firmosur dje marrëveshjen e bashkëpunimit për të dalë së bashku në zgjedhjet e parlamentare me reformatorët e Pollos dhe demokristianët e Nikollë Lesit. Në bazë të marrëveshjes, PDK-së do t'i lihen dy zona të lira elektorale, ajo me numër 15 në Mirditë dhe zona numër 69, në Patos. Ndërsa, PDR-së do t'i lihen të lira zona elektorale numër 8 në Shkodër, 28 në Durrës dhe zona zgjedhore numër 46, në Tiranë. Më të prekurit prej kësaj marrëveshjeje janë Pjetër Arbnori dhe Marjeta Zaçe, pasi mbesin pa zonë elektorale kandidimi. Në zonën e Shkodrës, ku këto katër vjet deputet ishte Pjetër Arbnori, këtë radhë do të konkurrojë, Nard Ndoka i PDR-së, ndërsa zona e Patosit, që zgjodhi deputete Marieta Zaçen, do të ketë kandidat për deputet të propozuarin e PDK-së. Ndërkohë, pa zonë mbetet edhe deputeti Azgan Haklaj, i cili me vendim të Kryesisë së PD-së u zëvendësua në Tropojë nga Aleksandër Biberaj.

Demokristianët

Në bazë të marrëveshjes, PDK-së do t’i lihen dy zona të lira elektorale, ku kandidatët e saj do të garojnë nën siglën e Partisë Demokratike. Për sa i përket listës së proporcionalit, kjo parti do të garojë e vetme, duke synuar të marrë si subjekt tri për qind të votave në zgjedhje. Nikollë Lesi, kryetar i PDK-së, u shpreh, pas nënshkrimit të marrëveshjes, se kjo parti synon që, për herë të parë, të ketë në parlament grupin e saj parlamentar. “Kjo marrëveshje ruan identitetin dhe portretin e Partisë Demokristiane. Ne, veç zonave të lira, do të synojmë të arrijmë shifrën tri për qind. Për herë të parë do të kemi grupin tonë parlamentar”, tha Lesi. Sipas tij, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të thotë fitore e sigurtë e opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryetari i PD-së, Berisha, tha se koalicioni ka për qëllim që të mbështesë kandidaturat respektive të partive dhe të ruajë individualitetin partiak. “Ne kemi si qëllim të mbështesim kandidaturat e njëri-tjetrit dhe të ruajmë individualitetet partiake. Ky është synimi i të gjitha marrëveshjeve që ne kemi nënshkruar me të gjitha partitë e qendrës së djathtë”, tha Berisha.

Reformatorët

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me demokristianët, do të vinte radha e reformatorëve të zyrtarizonin marrëveshjen me Partinë Demokratike. Kryetarët Berisha dhe Pollo janë takuar në Kryesinë e Kuvendit, ku kanë vulosur dhe koalicionin e parë parazgjedhor mes tyre, që pas vitit 1998. Në bazë të marrëveshjes, PDR-së do t'i lihen tri zona të lira. Një në Shkodër, ku do të kandidojë kryetari i grupit parlamentar Nard Ndoka, një në Durrës, ku do të kandidojë sekretari i Përgjithshëm, Ferdinant Xhaferri, dhe një tjetër në Tiranë, ku do të kandidojë Luftim Ahmetaj, kryetar i PDR-së, Dega Tiranë. Vetë Pollo do të luftojë të marrë votat në listën e proporcionalit. Kryetari i PDR-së tha se nënshkrimi i këtij bashkëpunimi është frut i vlerave të përbashkëta që kanë dy partitë e opozitës. “Ky pakt bazohet në vlerat themelore të përbashkëta të partive tona, në idetë programore konverguese, si dhe në akordimin politik evropian të njëjtë. Ai është një hap konsolidues i një të djathte plurale, që ecën me vetëbesim dhe kompetencë drejt pushtetit. Pakti e bën krejt të sigurt ndryshimin e madh dhe për mirë, që shumica stërmadhe e shqiptarëve shpreson të ndodhë në korrik 2005”, tha Pollo.

Mediu. “Lëvizjet Rojaliste, mercenarë të Nanos”

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka deklaruar dje, në zhvillimet e Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, se PR synon të dalë forcë e tretë politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në fjalën e tij, kreu republikan foli dhe për nevojën e një opozite të bashkuar, duke i konsideruar lëvizjet e tjera jashtë këtij koalicioni si lëvizje mercenarësh që i shërbejnë maxhorancës. “Lëvizje mercenarësh të drejtuara nga njerëz të pazareve të ulëta me Nanon, nuk mund të ndërtojnë as Rojalizëm, as Republikanizëm, por vetëm anarshi, për t'i dhënë mundësi pushtetit të sotëm, duke i hequr mundësinë shqiptarëve të ndershëm, që të kenë një qeveri të tyre”, tha Mediu. Sipas tij, pavarësisht se në koalicion me PD-në, Partia Republikane nuk do të heqë dorë nga kërkesa për abrogimin e ligjit 7501, pasi, sipas Mediut, pa shkuar prona te pronari nuk mund të ndërtohet shteti i së drejtës. “Nëse Berisha thotë se PD-ja nuk ndryshon ligjin 7501, Partia Republikane deklaron se në mënyrë absolute e ka jo vetëm prioritare, por pa vajtur prona tek i zoti, ky vend nuk do të ketë as shtet të së drejtës, dhe as zhvillim ekonomik”, tha Mediu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›