E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kushte për vendosjen e kamerave në ambiente të hapura

08/05/2005  Të gjithë personat që kanë vendosur videombikëqyrëse duhet të aplikojnë për leje ndryshe vendosen gjoba

Stadiumet, tregjet, bankat, shkollat dhe spitalet do të vrojtohen me kamera të posaçme, kasetat janë prova për gjykatën

Qeveria ka kërkuar heqjen e të gjitha kamerave të vendosura pa kriter në ambiente publike dhe vendosjen e rregullave, për rastet kur do të lejohen ato. Për këtë çështje, në Kuvend është paraqitur një projektligj, i cili thekson se 60 ditë pas miratimit të tij, të gjithë subjektet duhet t'i drejtohen Ministrisë së Rendit, për të kërkuar lejen e vendosjes së një videombikëqyrjeje të hapur. Ndërsa, në rast se një subjekt, pas vendosjes së kamerave shkel ligjin, apo fshin të dhënat, dënimi do të jetë gjobë 50 mijë deri 500 mijë lekë dhe nisje të ndjekjes penale. Videombikëqyrjet në ambiente të hapura do të vendosen si në zonat private, ashtu dhe në ato publike, sidomos në shkolla, stadiume, porte dhe aeroporte.

Kriteret

Pamjet e regjistruara prej kamerave, që do të vendosen në ambiente të hapura, ruhen jo më shumë se 60 ditë. Afati do të jetë më i gjatë vetëm në rastet kur në to janë regjistruar veprime që mund të përbëjnë çështje penale. Për këtë qëllim, kamerat dhe regjistrimet do të monitorohen vetëm prej personave të specializuar. Ndërsa në rastet kur prokurori urdhëron që prej këtyre kamerave të veprohet me përgjim ndaj personave të veçantë, në mbikëqyrje të tyre vendosen policë gjyqësorë. Instalimi i kamerave ndalohet në vendet ku cënohet etika dhe ruajtja e sekretit profesional dhe në vendet private, që nuk janë të hapura për publikun, nëse objekti i pamjeve filmike cënon jetën private. Gjithashtu, nuk do të lejohet që punonjësit të mbikëqyren prej kamerave, pasi cilësohet shkelje e të drejtave të njeriut.

Detyrimi

Sipas projektligjit, të gjitha subjektet e videombikëqyrjes së hapur, që kanë instaluar dhe që përdorin sisteme të tilla, ose që ende nuk kanë instaluar e vënë në përdorim, janë të detyruara të paraqesin kërkesën për pajisjen me lejen përkatëse pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut, ku do të përdoreshin pajisjet elektronike. Kamerat janë të detyrueshme të vendosen në stadiume dhe komplekse sportive, qendrat tregtare, në institucione bankare, në ambientet e arsimit publik dhe privat, institucionet e qendrave shëndetësore publike dhe private, vende të tjera publike dhe private me qëllim parandalimin e akteve të dhunshme dhe krimeve të tjera. Gjithashtu, institucionet shtetërore instalojnë kamerat në qendrat dhe rezidencat qeveritare, porte dhe aeroporte, pikat e kalimit kufitar, në infrastrukturën rrugore dhe në vendet e vuajtjes së dënimit. Në të gjitha rastet, videokamerat do të vendosen për të garantuar qetësinë dhe rendin. Ndërsa do të jenë parlamentarët që do të vendosin nëse në draft do të bëhen ndryshime apo do të miratohet sipas paraqitjes së bërë.

Rrugët

Për herë herë të parë në rrugë do të vendosen kamera, që do të lajmërojnë më shpejtë strukturat përkatëse, në rast të aksidenteve. Një vendim i tillë ka ardhur dhe si rrjedhojë e rritjes së fluksit të makinave, si dhe të lehtësirave, që janë bërë në infrastrukturën rrugore. Një veprim të tillë e kanë ndërmarrë shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, ku kanë ardhur dhe rezultatet pozitive në shpëtimin e njerëzve gjatë aksidenteve, pasi ndihma ka qenë e menjëhershme.Të dëmtuarit mund të marrin dëmshpërblim

E drejta për informimin mbi ekzistencën e kameraës

Personi që hyn ose përdor vende publike apo private, ku janë vendosur sisteme videombikëqyrjeje, kanë të drejtën e informimit për këtë fakt dhe të mundësisë së përdorimit të tyre. Në këtë mënyrë, vetëm në rast se personat janë informuar mbi ekzistencën e kamerave, veprimet e tyre do të përdoren në gjykatë. Në rast se një filmim i bërë prej kamerave të hapura sjell dëmtimin e një individi, ai do të ketë të drejtën e plotë që të kërkojë dëmshpërblim. Në këtë rast, do të jetë gjykata, që do japë vendimin se cila nga palët ka të drejtë. "Personi që pëson dëm për shkak të veprimtarisë të videombikëqyrjes së hapur kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblimin, duke iu drejtuar gjykatës", thuhet në propozim. Gjithashtu, është theksuar se kamerat e hapura mund të përdoren për mbrojtjen e pronës, mbrojtjen e personave dhe të interesave publike. Në të gjitha rastet do të jetë ministri i Rendit dhe ai i Drejtësisë që do të përcaktojnë se cili do të ketë të drejtë që të vendosë një kamera, në oborrin e shtëpisë, apo në ambiente të tjera.

Kushtëzimet nga ligji ekzistues

Vetëm Policia Gjyqësore dhe KLSH kanë leje për përgjim

Sipas ligjit për përgjimet, vetëm policia gjyqësore dhe prokuroria ka të drejtën e grumbullimit të provave, që mund të merren si të tilla nga gjykata. Pas kërkesës për përgjim, është prokurori i Përgjithshëm që ka të drejtën e lejes. Nëse Prokurori jep urdhrin, në zyrat e SHISH vendoset një anëtar i policisë gjyqësore. Çdo e dhënë që do të merret prej këtij përgjimi do të përdoret si provë në gjykatë. Ligji ndalon çdo person tjetër që të bëjë përgjimin. Në rast se në gjykatë do të paraqitet një kasetë e përgjuar prej një anëtari, që nuk është i policisë gjyqësore, ajo nuk do të merret si provë. Gjithashtu, së fundi është pranuar që dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm do të ketë të drejtën e përgjimit për forcat e rendit dhe Ministrisë së Rendit. Një vendim i tillë është marrë në seancën e para një jave, ku janë miratuar ndryshimet mbi ligjin e SHKB-së. Në argumentin e dhënë, deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare janë shprehur se ky ndryshim do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit në forcat e rendit.

Zyrat shtetërore do të jenë nën kontroll të plotë

Monitorimi në të gjitha rezidencat qeveritare

Në të gjitha rezidencat qeveritare dhe institucionet shtetërore do të vendosen kamerat mbikëqyrëse. Një vendim i tillë është konsideruar konform ligjeve për të drejtat e njeriut si dhe standardeve ndërkombëtare. Projektligji lejon që të dhënat e marra prej filmimit të këtyre kamerave të jenë provë në proceset gjyqësore. Kjo sepse nuk cilësohet përgjim i posaçëm, por garantim i institucioneve shtetërore. Drafti sanksionon që funksionimi i kamerave si dhe inçizimet të kontrollohen prej specialistëve. Ndërsa kamerat do të jenë të lidhura në rrjet. Gjithashtu është kërkuar që rrjeti i vidiokamerave të hapura të jetë i lidhur me një sistem alarmi, që do të lajmërojë policinë, apo forca të tjera, të cilat kujdesen për rendin dhe sigurinë. Megjithatë, në të gjitha rastet e vendosjes së kamerave të hapura do të lajmërohet qarku përkatës i policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›