E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arbnori kërkon hapjen e dosjeve për të gjithë kandidatët për deputetë

20/02/2005  Të votohet në Kuvend drafti për bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit

Deputeti i Partisë Demokratike, Pjetër Arbnori, ka kërkuar dje, gjatë një seminari të organizuar nga PDR-ja, rishikimin e ligjit për spiunët. Arbnori, ish i burgosur i diktaturës, ka shfrytëzuar rastin që t'u kërkojë iniciatorëve të projektligjit për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, rishqyrtimin edhe një herë të këtij drafti. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë forum, Arbnori ka thënë që, në rast se duhet të hapen dosjet, duhet të përfsihen në këtë hetim dhe punonjësit e ish-sigurimit të shtetit dhe jo vetëm bashkëpunëtorët e tij. Projektligji i hartuar nga deputetët Ndoka, Cako dhe Berzani nuk arriti të kalojë për miratim në parlament, pasi u rrëzua në Komisionin e Ligjeve. Deputeti i opozitës, Pjetër Arbnori, ishte një ndër abstenuesit e këtij projektligji. Në draftin e paraqitur nga tre deputetët e opozitës, parashikohej hapja e dosjeve për të gjithë ata persona që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-sigurimit të shtetit dhe që sot bëjnë pjesë në jetën politike shqiptare. Sipas autorëve të projektligjit, hapja e dosjeve ka më shumë karakter informativ, me qëllim që elektorati shqiptar të jetë në dijeni të figurave që e përfaqësojnë në të gjitha shkallët e pushtetit. Gjithsesi, pavarësisht nga shpjegimet e tre deputetëve, sërish projektligji, i hartuar për këtë qëllim, nuk arriti të merrte votat e nevojshme që të kalonte në seancë plenare për miratim. Deputetët socialistë e kundërshtuan draftin e paraqitur si antikushtetues dhe që shkel të drejtat e njeriut. Ndërkohë, autorët e projektligjit kanë ndërmarrë një nismë sensibilizuese mes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për risjelljen e këtij drafti edhe një herë në qendër të vëmendjes së parlamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›