E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Do t'u kthej pronat komuniteteve fetare

20/02/2005  Kreu i PD-së thotë se përparësi do të kenë besimtarët

Partia Demokratike premton kthimin e pronave të komunitetit bektashi. Në festimin e ditës së hashures, kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha dje, pas vizitës në Kryegjyshatën Botërore se i ka premtuar kreut të këtij institucioni se kthimi i pronave të bektashinjve dhe të gjitha institucioneve të tjera fetare do të jetë një ndër çështjet parësore, që opozita do të shtrojë në seancat e ardhshme të parlamentit shqiptar. "Uroj që viti tjetër t’i gjejë më mirë të gjithë shqiptarët, sikundër i dhashë fjalën Baba Reshatit, po dhe të gjithë klerikëve shqiptarë se, rikthimi i pronave të tyre me përparësi, do të jetë çështja më e parë që do të ngrejmë në parlamentin shqiptar", tha Berisha. Jo pak herë çështja e pronave të institucioneve fetare në Shqipëri është bërë dhe shkak për konflikte të ndryshme. Për sa i përket opozitës, kjo është hera e parë që deklarohet në favor të kthimit të pronave të klerikëve, të shtetëzuara gjatë viteve të diktaturës. Jo në pak raste, këto prona janë zënë me ndërtime nga banorët e ardhur nga zona të ndryshme të vendit. Pothuajse të gjitha institucionet fetare si Kisha Katolike, Komuniteti Mysliman, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, apo Kisha Ortodokse njihen si pronarë të mëdhenj në toka të shumë qyteteve të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›