Ardhja e emigrantëve për festa mobilizon policinë
Fluksi i hyrje-daljeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në pikat kufitare është rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, çka e ka detyruar policinë kufitare të bëjë shtim të personelit në pikat kryesore të kalimit kufitar si Kakavija, Kapshtica, portet e Durrësit dhe Vlorës etj. Në një njoftim të djeshëm, Drejtoria e Policisë Kufitare njoftoi se vetëm gjatë gjysmës së ditës së djeshme në të gjitha pikat e kalimit kufitar kanë kaluar rreth 30 mijë persona, shumica dërrmuese e të cilëve kanë hyrë në territorin e Shqipërisë.
Dyfishohen tragetet
Fluks emigrantësh për Krishtlindje. Mbi 10 mijë emigrantë kanë mbërritur në vend gjatë ditës së djeshme nga Porti detar i Durrësit. Nga 7 tragete që ishin ditën e mërkurë, dje agjencitë e lundrimit shtuan numrin e tyre në 12 tragete për t‘iu përgjigjur këtij fluksi të menjëhershëm në rritje. Vetëm gjatë paradites mbërritën në portin më të madh të vendit njëri pas tjetrit 6 tragete, kryesisht nga Porti italian i Barit. Vetëm nga trageti i parë që u ankorua në terminal, zbarkuan 1076 pasagjerë dhe 207 automjete. Burime portuale duke iu referuar të dhënave paraprake nga agjencitë e lundrimit thanë për gazetën se gjatë 24 orëve të fundit me 12 tragetet e linjave detare numri i të mbërriturve në port do të ishte mbi 10 mijë veta dhe afro 2000 automjete. Burimet bënë të ditur se fluksi do të vijojë dhe në ditët në vazhdim për të njohur një tjetër rritje në fundjavë. Sportelet e pikës kufitare dhe doganore në këtë port punojnë të gjitha me kapacitet të plotë dhe është shtuar numri i personelit të angazhuar për ta përballuar fluksin e atyre që kthehen në atdhe për festën e Krishtlindjeve dhe natën e ndërrimit të viteve.
Fluks edhe në Qafëbotë
Ditët e fundit para Krishtlindjeve ka ardhur në rritje fluksi i emigrantëve dhe studentëve që kthehen nga jashtë shtetit për festat e fundvitit në vendlindje. Burime nga pika e kalimit kufitar të Qafëbotës në Rrethin e Sarandës thanë se vetëm dje dhe pardje është regjistruar një numër i konsiderueshëm udhëtarësh me autobusët e linjës Igumenicë-Qafëbotë dhe të tjerë që kanë udhëtuar me automjetet personale drejt Sarandës, Delvinës dhe fshatrave përreth tyre. Gjatë 23 dhjetorit ky numër ishte 700 persona, prej të cilëve 150 me autovetura personale, ndërsa gjatë ditës së djeshme, një ditë para Krishtlindjeve, është shënuar një shifër edhe më e lartë. Burimet nga Qafëbota kanë konfirmuar se më 24 dhjetor hynë nga Pikëkalimi i Qafëbotës 1500 vetë dhe 500 automjete. Edhe pse ky është një numër i konsiderueshëm për personelin modest që shërben këtu, mësohet se kalimi i emigrantëve dhe studentëve është bërë në mungesë të radhëve.