Mima-Strazimiri: Rama të japë llogari për "Tajvanin"
Partia Demokratike vijoi dje akuzat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në lidhje me tokën që rrethon kompleksin "Tajvani" në kryeqytet. Kështu, dje deputetët demokratë të Qarkut të Tiranës, Florion Mima dhe Gent Stazimiri rikthyen në vëmendje këtë çështje, duke kërkuar shpjegime nga vetë Edi Rama. Deputeti Mima theksoi se duhet të jetë Rama ose organet e drejtësisë ato që duhet t‘i japin përgjigje shitjes së tokës me 94 euro metri katror. "Po i drejtoj publikisht Edi Ramës, pyetjen e mbetur pa përgjigje, duke konfirmuar se nuk do të lodhemi derisa ai apo organet e drejtësisë të japin përgjigje se përse toka rreth ‘Hotel Dajtit‘ është shitur nga Edi Rama me 1500 euro metri katror, ndërsa vetëm disa metra larg saj, ne parkun "Rinia", pranë objektit ‘Tajvan‘ ajo është shitur me 94 euro metri katror", deklaroi Mima. Sipas tij, duhet të gjejë kurajën dhe të dalë e të përgjigjet vetë për këtë çështje dhe jo të nxjerrë në ekran zëdhënëset e tij, të cilat jo vetëm kërcënojnë deputetët e popullit, por paturpësisht vendosin edhe epitete ndaj tyre. Po kështu, Mima theksoi se këto ditë është zbuluar edhe një skandal tjetër i Edi Ramës në lagjen "Ali Demi". Bashkia e Tiranës nuk do të lejojë askënd të hedhë baltë mbi punën e saj dhe do të vendosë në vend të vërtetën. Kjo ishte përgjigjja që dha dje zëdhënësja e bashkisë, Joana Bushi, ndaj deklaratave të deputetëve të PD-së, Gent Strazimiri dhe Florion Mima. "Shpifjet dhe intrigat e Sali Berishës dhe robotëve të programuar prej tij nuk gënjejnë e manipulojnë dot askënd, pasi Bashkia e Tiranës është e vendosur që përballë politikës së baltës, të vendosë të vërtetën dhe ligjin", deklaroi zëdhënësja e bashkisë.