E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli ul tonin dhe i përgjigjet Ramës: Kthehuni në Parlament

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka ulur tonin në konferencën e fundit për shtyp të vitit 2009 dhe i është përgjigjur letrës publike të liderit të opozitës, Edi Rama, me një ftesë publike. "Është një rast për të përsëritur ftesën për deputetët e Partisë Socialiste për të ardhur, për të diskutuar, për të shqyrtuar, për të diskutuar pastaj në seancë plenare edhe për këtë ligj të cilin zoti Rama e ka merak", tha Topalli referuar projektligjit për Inspektoratin e Ndërtimit. Por, vijoi ajo, do të shtoj edhe diçka tjetër: Çështja e sigurisë publike dhe kombëtare është kryesisht çështje e pushtetit qendror dhe ajo që ka ndodhur me pallatin në Gjirokastër nuk mund të ndodhë më. "Ne nuk mund ta lejojmë. Këtu

secili merr përgjegjësitë e veta, por unë shfrytëzoj këtë rast që të ftoj deputetët për ta diskutuar edhe këtë ligj për të cilin zoti Rama ka dërguar letër", u shpreh kryeparlamentarja. Topalli, në deklaratën e djeshme nuk i ka kërcënuar deputetët e opozitës me zëvendësim mandatesh, por ka përdorur mesazhin publik të shoqëruar me një buzëqeshje që ishte në fakt një sinjal(sado i vogël) për zbutjen e toneve mes mazhorancës dhe opozitës. Në deklaratën zyrtare të fundit të vitit, kreu i Kuvendit ka deklaruar se "opozita ka një rol shumë të madh dhe duhet të rikthehet në Kuvend, pasi duhet të shpalosë këndvështrimin e votuesve të saj për ligj që diskutohet në sallë". Topalli theksoi se "si Kryetare e Kuvendit kam për detyrë të garantoj çdo deputet, siç e përcakton Kushtetuta dhe ligji mbi të cilin funksionon Parlamenti, ata do të kenë të gjithë hapësirën për të realizuar dhe për të bërë të mundur detyrën dhe misionin e tyre si opozitarë". Ndërkaq, kryeparlamentarja ka mbrojtur punën e legjislativit, i cili që prej hapjes së legjislaturës ka punuar vetëm një ditë në javë dhe me sforco. "Në këtë sesion janë miratuar ligje në masën 70 për qind më shumë se për të njëjtën periudhë në legjislaturën e kaluar. Kjo është diçka për t‘u vlerësuar, apo jo? Kuadri ynë ligjor është një kuadër i plotë. Natyrisht, ka ligje të tjera që do të kalojmë, prandaj thashë që kalendari i sesionit të ardhshëm është po aq i rëndësishëm dhe me po aq sfida të rëndësishme", tha Topalli. Ndërkaq, në lidhje me ofertat që mazhoranca i bën për kompromis opozitës, Topalli ka deklaruar se PD është e hapur: "Ofrojmë çdo gjë që është e ligjshme dhe Kushtetuese. Si Kryetare e Kuvendit,

jo se ia ofroj unë, por ia ofron Kushtetuta dhe Rregullorja të gjitha hapësirat, të gjitha mundësitë e kontrollit parlamentar, mundësi të pyetjeve drejtuar qeverisë, mundësi të interpelancave, mundësitë e punës, të kompromiseve dhe negocimeve brenda komisioneve parlamentare". Në komisionet parlamentare, vijoi ajo, në shumë raste dhe në shumë ligje janë bërë negociata të rëndësishme midis opozitës dhe mazhorancës. "Në seancë plenare ne kemi arritur kompromiset më të jashtëzakonshme. Kemi ndryshuar Kushtetutën, i kemi votuar Kodin Elektoral, kemi votuar edhe shumë ligje të tjera. Unë kam besim se e tillë frymë kompromisi, marrëveshjeje, negocimi në Parlament ekziston, sepse historia e

parlamentarizmit është dëshmi e kësaj fryme dialogu, lëshimi, kompromisi dhe negocimi", theksoi Topalli.

Y.P.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›