E Diel, 1 Nëntor 2026

Policët ankohen më shumë, policia më e kritikuar

Policia është vënë në "shënjestër" të komisionerëve të Avokatit të Popullit, duke gjetur mjaft parregullsi gjatë vitit 2009. Në rekomandimet që zyra e Ermir Dobjanit ka bërë gjatë këtij viti, ekziston ende problematika në shoqërimin e personave, në kushtet e personave që shoqërohen e arrestohen, si dhe janë realizuar disa ndërhyrje nga blutë jashtë legjislacionit. Krahas kritikave për policinë, Avokati i Popullit ka marrë ankesa nga vetë punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kërkojnë kushte më të mira pune, si dhe një trajtim sa më të mirë financiar. Sipas vëzhgimit të gazetës "Shqip" të të gjitha rekomandimeve të bëra në vitin 2009, edhe punonjësit e policisë të dalë në reformë kërkojnë pensione dhe paga kalimtare, pasi pretendojnë se janë nxjerrë në reformë në kundërshtim me ligjin. Me gjithë progresin e bërë nga zyrtarët e policisë dhe Ministrisë së Brendshme, ende ka probleme në këtë institucion që përballet çdo ditë me qytetarët dhe ka një ndjeshmëri të madhe. Komisionerët e Avokatit të Popullit kanë rekomanduar në disa raste nisjen e hetimeve ndaj disa punonjësve të policisë, por duket se pjesa më e madhe e rekomandimeve apo kërkesave është hedhur poshtë. Më poshtë po publikojmë një pjesë të rekomandimeve të bëra nga Avokati i Popullit gjatë vitit 2009, duke filluar nga rekomandimet e muajit janar.
Rekomandimet
Rekomandimi i parë për vitin që po lëmë pas daton në datën 6 janar. Avokati i Popullit i është drejtuar ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, për pagimin e pagave të prapambetura... Një ditë më pas, Dobjani i shkruan Ministrisë së Ekonomisë, duke i kërkuar të ekzekutojë një vendim gjyqësor. Rekomandimi i radhës daton më 20 janar dhe bën fjalë për përmirësimin e kushteve të të dënuarve në Burgun e Tepelenës. I fundit për muajin janar ka qenë rekomandimi për Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, ku kërkohej informacion për marrëveshjen e pagesës së pensionistëve shqiptarë në Belgjikë. Puna në muajin shkurt ka nisur me një rekomandim për ndryshimin e Kodit të Procedurës Civile. Ai i drejtohej Ministrisë së Drejtësisë. Më pas është rekomanduar plotësimi i ligjit për sistemin arsimor parauniversitar. Kërkesa e radhës është për ndryshimin e Kodit Penal në favor të fëmijëve dhe më pas komisionerët e Dobjanit kanë rekomanduar marrjen e masave për heqjen e taksës së çregjistrimit në regjistrat e gjendjes civile të shtetasve që lënë shtetësinë shqiptare. Në datën 4 shkurt janë bërë dy rekomandime të tjera. I pari është për zgjidhjen e menjëhershme të trajtimit ligjor të sëmurëve mendorë dhe i dyti për përmirësimin e një projekt-rregulloreje për dënimet alternative. Më pas i kërkonte Ministrisë së Transporteve informacione për ligjin e kthimit e kompensimit të pronave.
Një ndër rekomandimet e tjera ishte edhe për çregjistrimin e personave të vdekur nga regjistrat e gjendjes civile. Ndër ankuesit e shumtë, krahas punonjësve të policisë në zyrën e Avokatit të Popullit kanë qenë edhe ish të përndjekurit politikë, që kërkojnë dëmshpërblim duke u bazuar në ligjet e nxjerra nga qeveria. Më pas puna është përqendruar te letrat dhe ankesat e qytetarëve drejtuar spitaleve në vend. Ata ankoheshin për ushqimet. Në muajin mars të vitit që po lëmë pas, qytetarët u përqendruan tek ankesat për kartat e reja të identitetit. Dobjani dërgoi një sërë rekomandimesh për Këshillin e Ministrave për uljen e pagesave të shtresave në nevojë.
Në muajin prill, Dobjani i shkruante Ministrisë së Brendshme për nxjerrjen e një akti nënligjor për të njohur kartën e identitetit. Ndërsa i rekomandonte ministrit të Arsimit që të nxirrte një urdhër për drejtoritë arsimore që të ndalonin përdorimin e shkollave dhe pjesëmarrjen e nxënësve dhe mësuesve në mitingjet elektorale. Më pas rekomandohet edhe nxjerrja e aktit nënligjor për përjashtimin e kategorive në nevojë të pagimit të tarifave të shërbimit "Për taksat kombëtare".
Në muajin maj, komisionerët e Dobjanit kanë rekomanduar përmirësimin e kushteve në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Më pas rekomandohej ngushtimi i diferencave për pensionin. Një ndër ngjarjet që u evidentua nga Avokati i Popullit në këtë muaj ishte edhe ngjarja te Kryeministria, ku iu rekomandua gardës që të marrë masa disiplinore për personin që "përgëzoi" dhunuesin e një të verbri.
Në muajin qershor, komisionerët e Dobjanit kanë rekomanduar derdhjen e kontributit si të vetëpunësuar në bujqësi personave që kanë ndërruar banim. Gjatë këtij muaji janë bërë një sërë inspektimesh në shtëpitë e të moshuarve, ku janë gjetur një sërë parregullsi. Në muajin korrik është rekomanduar marrja e masave për ekzekutimin e vendimeve penale ndaj personave që duhet të lirohen nga burgu. Në këtë muaj, që kulmon me temperaturat e larta, shumë banorë të kryeqytetit janë ankuar edhe për zhurmën e krijuar nga lokalet e natës. Për këtë arsye i janë rekomanduar Bashkisë së Tiranë marrjen e masave për zhurmat akustike në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Krahas këtij problemi, shumë qytetarë janë ankuar edhe për sinjalistikën në akset kryesore në Shqipëri. I janë kërkuar shpjegime drejtorit të Rrugëve, Andi Toma.
Në muajin shtator puna e komisionerëve të Dobjanit ka konstatuar në rekomandime për disa drejtori policie për marrjen e masave për përmirësimin e kushteve të dhomave të shoqërimit.
Ndërsa në muajin tetor është rekomanduar përgatitja e një VKM-je për rregullimin e marrëdhënieve të policisë me personat e tretë. Për këtë nismë është marrë modeli anglez. Në këtë muaj Dobjani i ka kërkuar ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi, shpjegime për digën e liqenit artificial në Tiranës.
Në muajin nëntor janë bërë një sërë rekomandimesh për buletinin e dënimit nga autoritetet e huaja, si dhe për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Ndërkohë është përsëritur rekomandimi për përshpejtimin e zgjidhjes së problemit të sigurimit të bashkëshortëve/eve që shoqërojnë nëpunësin në përfaqësitë tona diplomatike. Në muajin dhjetor është bërë rekomandim për ngjarjen e vetëvrasjes së një shtetasi në Komisariatin e Policisë në Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›