E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët e PS "humbasin" pasaportat diplomatike

Mungesa e betimit si deputetë të Parlamentit sjell pasojat e para për ligjvënësit socialistë. Meqë ende nuk figurojnë plotësisht me këtë status, pra nuk kanë filluar ende të zbatojnë mandatin e tyre, kjo do të thotë se ata nuk përfitojnë, por humbasin përfitimet që kanë prej këtij statusi. Burimet sqarojnë se Ministria e Jashtme përmes një shkrese i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit që të deklarojë listën e plotë të deputetëve që do të pajisen me pasaportë diplomatike, por në këtë rast ato duhet të jenë edhe biometrike. Kërkesë që ka sjellë një rikonfigurim të dokumentit që u lehtëson lëvizjen jashtë shtetit ligjvënësve shqiptarë. Në këtë rast, Kuvendi ka përcjellë listën e deputetëve të Parlamentit, ku mungojnë emrat e të zgjedhurve socialistë, pasi ata nuk kanë bërë ende betimin dhe si të tillë nuk njihen ende si deputetë nga ky institucion. Në këtë mënyrë, deputetët socialistë humbasin një përfitim të vyer, atë të pasaportave që nuk u sjell asnjë pengesë qarkullimi jashtë Shqipërisë. E thënë ndryshe, këtë të drejtë e humbasin edhe deputetët e vjetër, që kanë qenë edhe në legjislaturat e mëparshme edhe pse pasaportat e tyre mund të përdoren edhe për pak kohë. Më pas, efekti i tyre humbet për shkak se ato nuk janë biometrike. Nga ana tjetër, në daljet e fundit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka bërë të ditur se shtetasit shqiptarë që kanë një pasaportë biometrike kanë të drejtë të përfitojnë edhe nga procesi i liberalizimit të vizave. Duke qenë se Shqipëria duhet të përmbushë një numër të caktuar të pajisjes së qytetarëve me pasaportë biometrike, institucionet shqiptare po i japin një rëndësi të veçantë arritjes sa më parë të këtij numri duke mos përjashtuar këtu as deputetët shqiptarë, të cilët duhet të pajisen domosdoshmërisht me pasaportat e reja. "Shqipëria, në momentin kur u mor vendimi për këto vende nuk kishte prodhuar asnjë pasaportë biometrike dhe pa pasaporta biometrike nuk mund të lëvizë askush në mënyrë të lirë në hapësirën "Shengen" të Bashkimit Europian", tha ai.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›