Braçe: Abuzim me tenderin për blerjen e 300 makinave
Partia Socialiste vë alarmin se rritja e deficitit buxhetor e shkaktuar nga borxhet që ka marrë qeveria është tregues i arkës së shtetit, dhe krizës që ka kapur qeverisjen aktuale. Deputeti socialist, Erion Braçe, vuri në dukje se borxhet e marra nga qeveria duke shkelur Kushtetutën, ligjin për buxhetin e shtetit dhe duke anashkaluar Kuvendin, do të përdoren për të mbushur gropat e krijuara nga korrupsioni marramendës i qeverisë Berisha.
"Dje qeveria dhe Sali Berisha vendosën të marrin sërish borxh dhe jo për rrogat e dhjetorit, as për të kompensuar gjysma gjasme shpërblimet, as fare për të paguar pagat e prapambetura për më të varfrit: invalidët, të papunët. Dje qeveria dhe Sali Berisha vendosen të marrin sërish borxh për faturën e borxheve elektorale që u përpinë në skemën kriminale të Sokol Olldashit, përbërë nga qindra kantiere vizuale, por pa vepra. Për faturën e tenderëve të korruptuar, ku zyrtarët e qeverisë kanë hisen e tyre, si kosto shtesë në çdo tender, kthyer tashmë në element thelbësor në Republikën e ryshfetit që Sali Berisha administron", theksoi Braçe. Sipas tij, fatura e blerjes nga ana e qeverisë e mbi 300 makinave për një sërë institucionesh në 16 lote me vlerën 5,3 milionë dollarë, përbën një dëshmi të shkeljeve të qeverisë. Braçe sqaroi se në korrik qeveria dhe Ministria e Brendshme kanë hapur tenderin, ndërkohë që në muajin tetor APP ka vendosur anulimin e procedurës së tenderimit për lotin 1 që ishte edhe më i madhi në tender me vlerën 4 milionë dollarë, pasi nuk plotësonte kushtet e garës. Vendim të cilin, sipas Braçes, APP e ka shkelur vetëm pak kohë më pas, duke e shpallur fitues atë që kishte shpallur të jashtëligjshëm. "Ky është skandali, i radhës, i Sali Berishës, i paguar gjithnjë si kosto korruptive nga paratë e taksave të qytetarëve, i munguar për qytetarët si paga e shpërblime, por jetik për familjen që na qeverise si pasuri e madhe e paligjshme. Pikërisht për këtë, tani që kazani i qelbur i Ministrisë së Brendshme, për të larë hesapet mes tyre, u hap, ne kërkojmë thellimin e hetimeve edhe për këtë tender me vlerë kaq të madhe", deklaroi Braçe. Dy ditë më parë, selia rozë reagoi për arrestimet e kryera në Ministrinë e Brendshme, duke bërë me dije se nuk tregojnë e nuk mjaftojnë për të na bindur se po luftohet korrupsioni. "Arsyeja pse arrestohen për korrupsion vetëm varësit e Lulzim Bashës, qoftë kur ky ishte ministër i Transporteve, ashtu dhe sot kur është ministër i Brendshëm, duket se është vetëm një shfaqje ekstreme e luftës për pushtet brenda së njëjtës familje politike. Peshat e rënda të korrupsionit elitar në qeveri dhe mazhorancë janë ende të lirë, e madje të mbrojtur nga Sali Berisha nëpërmjet imunitetit parlamentar", u shpreh deputeti socialist, Saimir Tahiri.
A.Thomollari