Me të drejtë rizgjedhjeje
Që nga viti 1990 deri tani janë miratuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Gjykata e Faktit në Tiranë afro 114 parti politike, 23 prej të cilave janë përfaqësuar edhe në Parlament. Janë zhvilluar shtatë procese zgjedhore parlamentare, dy referendume, pesë procese zgjedhore lokale, si dhe 34 procese zgjedhore parlamentare e lokale të pjesshme.
Rezulton se 13 procese zgjedhore kanë qenë me shumë probleme dhe të kontenstuara. Ka pasur dy kriza politike dhe sociale, ku është dashur edhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve për rend, qetësi dhe stabilitet. Kodi Zgjedhor është dokumenti ligjor që është diskutuar, ndërhyrë e ndryshuar më shumë nga çdo ligj tjetër. Kuptohet vetëm për arsye marrje-mbajtje të pushtetit. Ndërsa ligji për krijimin e partive politike, statutet e partive, sidomos proceset zgjedhore në ato, as që janë diskutuar, ndryshuar, protestuar në funksion të votës së lirë dhe rotacionit.
Një gjë është më se e vërtetë, se zgjedhjet në parti kanë qenë deri më tani shumëfish më problematike e më të kontenstueshme, në raport me ato parlamentare e lokale. Këto procese rezultojnë se janë zhvilluar me metoda totalitare në kundërshtim edhe me Kushtetutën. Fakti i pakundërshtueshëm, që prej 19 vitesh rresht, partitë nuk i kanë qarkulluar kryetarët e tyre e vërteton këtë.
Të thuash të vërtetat për problematikat e mëdha të zgjedhjeve parlamentare e lokale, kontestimet e tyre, të protestosh për to dhe nga ana tjetër të mos thuash të vërtetat po aq të mëdha për zgjedhjet në partitë politike, për mungesën e votës së lirë, mosfunksionimin e parimit të rotacionit është si të thuash një mashtrim të madh për demokracinë. Dihet se nga partia apo partitë politike që fitojnë zgjedhjet (parlamentare apo lokale) burojnë pushtetet legjislative, ekzekutive, gjyqësore, vendore, si dhe ai i Presidentit. Mungesa e zgjedhjeve të lira në parti, mosqarkullimi i liderëve të tyre janë një nga burimet kryesore të metodave totalitare që kanë kapur partitë, institucionet e shtetit, OJQ-të dhe po formojnë sistemin e të keqes. Liderët politikë, janë deformuar në idhuj dhe heronj, duke i kthyer partitë në prona të tyre ku urdhri i kryetarit duhet zbatuar pothuajse në mënyrë instiktive.
E vërteta është se nuk mund të flitet për rrezik të sistemit totalitar apo për liderë që i ngjajnë Hitlerit apo Musolinit, por për metoda totalitare brenda sistemit demokratik, e cila ka bërë të mos funksionojë si duhet shteti, pozita, opozita, gjyqësori, prokuroria, OJQ-të, mandej edhe komunikimi etik, publik. Te ne nuk funksionon sistemi, teknologjia moderne institucionale, procedurat, mekanizmat, ligjet dhe nuk është problem individësh. Politikanët, gazetarët, intelektualët është e arsyeshme të merren me fenomenin, idetë, vizionin për të reformuar në proces sistemin dhe jo me individin kushdoqoftë ai.
Mençuria njerëzore ka vlerësuar tre nivele të analizës. Ata që merren me konkluzionet racionale, idetë, ata që merren me përshkrimin dhe ata që merren me individin. Të fundit janë cilësuar cinikë. Shqipëria me shumë sakrifica në këto dy dekada, ka bërë ndryshime pozitive të vlerësueshme drejt integrimit europian. Aktualisht ka një "POR TË MADHE" se institucionet e brishta të shtetit ende janë larg kuptimit dhe përmbajtjes së shtetit ligjor të së drejtës, thelbit të demokracisë politike, shoqërore dhe ekonomike dhe, nëse kriza aktuale do të thellohet vendi rrezikon të radhitet në listën e shteteve ku nuk funksionon demokracia. Vëzhguesit ndërkombëtarë gjendjen aktuale në Shqipëri po e vlerësojnë si mungesë të aftësisë shtetformuese. Nuk mund të injorohet teza e vjetër, se shqiptarët nuk janë në gjendje të formojnë shtet, e cila i vjen në takim institucioneve djallëzore që rreken me shpifje e dizinformacione që të përkeqësojnë imazhin e shqiptarëve. Ne duhet t‘i themi të vërtetën vetes për interesa madhore.
Fenomenet negative janë ngritur në sistem. Mungesa e zgjedhjeve të lira në partitë politike, për pushtet legjislativ dhe vendor radhazi me shumë probleme e kontestime; politika e konfliktit ku 90 për qind e energjive harxhohen për marrje apo mbajtje me çdo kusht të pushtetit, metodat totalitare në funksionim të institucioneve partiake, shtetërore dhe të OJQ-ve, janë shkaqet kryesore të korrupsionit gjigant dhe atij të vogël masiv, i krimit të organizuar etj., të cilat kanë sjellë humbjen e besimit dhe tendencën drejt rrënimit të psikologjisë tonë kombëtare. Në kushtet kur nuk kontrollohet sistemi, pakica e pasur po bëhet gjithnjë e më e pasur në mënyrë të paligjshme dhe shumica e të varfërve po bëhet gjithnjë e më e varfër.
Një psikologji mbytëse, terrorizuese deri antikombëtare, po synon heshtjen, mbylljen në vetvete të intelektualëve dhe atdhetarëve duke ju dhënë mundësinë e dominimit të situatës njerëzve populistë, militantë me gjuhën e ashpër të konfliktit, avokat mbrojtës të së keqes. Klasa politike siç vërehet, nuk e koncepton dhe zbaton politikën si artin e drejtimit të shtetit, institucioneve të tij si mirëqeverisje, por si luftë klanesh e kulisash për pushtet. Në këtë situatë të politizuar, të mbushur me mllef, me rigjallërimin e egër të politikës së konfliktit edhe figurat e shquara të kombit, si dhe ndërkombëtarët po e kanë të vështirë të ndikojnë te palët që të arrihet një kompromis, një marrëveshje.
Mendoj se sistemi që kemi zgjedhur ka të gjithë hapësirën për të zgjidhur çdo problem sado i vështirë që të jetë. Gjithsesi, sot, nuk konsiderohet urtësi për të nxitur turmat drejt dhunës, po për të parandaluar dhunën. Paqja është udha. Vetëm teknologjia moderne institucionale, procedurat, mekanizmat, ligjet mund të frenojnë, minimizojnë dhe rregullojnë pasionet për pushtet dhe pasuri që ndjek si qëllim natyra njerëzore.
Mendoj dhe besoj se acarimi i gjendjes aktuale do të zgjidhet me kompromis dhe marrëveshje, por kjo nuk mjafton, nuk e zgjidh problemin e mosfunksionimit të sistemit demokratik, të cilin e kanë kapur metastazat totalitare. Gjithmonë për të kuptuar dhe zbatuar një ide, mendim, vizion progresiv duhet vlerësuar çfarë thuhet jo kush e thotë. Duhet rregulluar hallka e parë e zinxhirit të problemeve. Që të bëjmë gjëra të mëdha, duhet gjithmonë, të djersitemi me gjërat e vogla. "Zoti ndodhet te hollësitë", nënvizon Rudolpho W. Guliani në librin "Udhëheqja".
Është e arsyeshme që statutet e partive politike të reformohen në funksion të zgjedhjeve të lira në parti, të qarkullimit të detyruar të kryetarëve të tyre, si dhe të mos lejimit që ata të drejtojnë me metoda totalitare. Për shembull, kryetari i partisë është e arsyeshme të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se dhjetë vjetët e fundit në Shqipëri, në çdo rast të zgjidhet për katër vjet me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Mendoj se ky rekomandim mbështetet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ku Presidenti ka të drejtë rizgjedhje vetëm një herë. (Edhe në Kushtetutën e SHBA-së, Presidenti ka të drejtë të rizgjidhet vetëm një herë).
Mendoj se për postet kyçe me shumë përgjegjësi në të tre pushtetet duhet të vendoset me ligj që të zgjidhen (emërohen) në mbështetje edhe të argumenteve dhe arsyetimeve të mësipërme. Problemi është që ekspertet e fushës të shprehen. Gjithsesi, si konkluzion të fundit nënvizoj se: pa zgjedhje të lira, të barabarta, periodike në partitë politike dhe qarkullim të detyruar me ligj të liderëve të tyre, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë; pa zgjedhje të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike për pushtetin legjislativ dhe vendor (për qeverisje), nuk mund të funksionojë shteti ligjor i së drejtës, ekonomia e tregut, siguria kombëtare, si dhe demokracia politike, shoqërore dhe ekonomike. Nuk mund të ndërtohet shteti modern i së drejtës.
*Pedagog i jashtëm në Akademinë e Mbrojtjes