E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria apelon Gërdecin

Trupi Gjykues i Gërdecit

Akuza bën ankim provizor, pasi vendimi i plotë i 12 marsit s`është zbardhur.

Kërkesa:Të rrëzohet i gjithë vendimi i Shkallës së Parë.

Prokuroria apelon vendimin e Gjykatës së Tiranës për të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit. Nga 29 të pandehur për tragjedinë e Gërdecit, për të cilët Gjykata e Tiranës u shpreh me vendim dhjetë ditë më parë, Prokuroria nuk është e kënaqur për asnjë prej tyre. Organi i akuzës në kryeqytet në një dokument prej rreth 35 faqesh, ka dorëzuar në Gjykatën e Apelit ankimin ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës, duke kërkuar rikthimin e akuzave për vrasje për katër të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”, dhe po ashtu vendosjen e tri burgimeve përjetë që u rrëzuan nga Gjykata e Shkallës së Parë. Burime zyrtare të Prokurorisë thanë se ditën e djeshme ka përfunduar hartimi i kërkesës për apelim, e cila është dorëzuar tashmë në Gjykatën e Apelit të Tiranës. “Apelimi është bërë mbi bazën e vendimit diapozitiv me të cilin jemi njohur nga Gjykata e Tiranës pasi vendimi i plotë dhe i argumentuar nuk na është vënë ende në dispozicion”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, me anë të vendimit të shkurtuar të Gjykatës së Tiranës është mësuar për dhënien e 94 viteve burg në total për 29 të pandehur, nga të cilët, dhjetë të akuzuar kanë marrë pafajësi. Prokuroria tha se ka animuar ndryshimin e kualifikimit të veprave penale për të pandehurit Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi. Organi i hetimit ka kërkuar rikthimin e akuzës për vrasje ndaj këtyre personave dhe dënimin me burg përjetë të Delijorgjit, Pinarit dhe Minxollit. “Është bërë apelim për ndryshimin e kualifikimit të veprës penale, për ndryshimin e masave të dënimit dhe për pafajësinë e dhënë për disa prej të pandehurve”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, Gjykatës së Apelit i është kërkuar që të rrëzojë në tërësi vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë më 12 mars. Prokuroria tha se në kërkesën e saj i bëhet e ditur Apelit se duhet të vendosë masat e dënimit që janë kërkuar në pretencë nga Prokuroria. Në pretencën e saj, Prokuroria kishte kërkuar burg përjetë për Ylli Pinarin, i cili u dënua me 18 vjet heqje lirie, burg përjetë për Mihal Delijorgjin, që u dënua me dhjetë vjet, burg përjetë për Dritan Minxollin, i cili u dënua me 18 vjet burg. Po kështu, Prokuroria kishte kërkuar 23 vjet burg për Sokol Ngjeçin që u dënua nga Shkalla e Parë me 10 vjet burg, si dhe nga tetë vjet për Luan Hoxhën, Shpëtim Spahiun, Dashnor Çaushin dhe katër vjet për Agim Lalën, ndërkohë që gjykata dha për të gjithë masa të ndryshme dënimi nga kërkesat e akuzës. Prokuroria tha dje se e ka depozituar ankimin në Gjykatën e Apelit, ndërkohë që është në pritje të vendimit të plotë të zbardhur nga Gjykata e Tiranës. Ajo që pritet me interesim nga ana e organit të akuzës është argumentimi dhe logjika me të cilën tre gjyqtarët e çështjes rrëzuan dhe nuk përmendën në asnjë rast veprën penale të vrasjes, së cilës Prokuroria i referohej në akuzën ndaj katër të pandehurve.

Trazhgim Sokolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›