Manjani: “Gërdeci, qeveria nuk po heq dorë nga presionet ndaj Prokurorisë”
Partia Socialiste ka denoncuar sërish presionin politik që po ushtron qeveria ndaj organeve të Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme me qëllim mbulimin e dosjeve të korrupsionit dhe pengimin për zbardhjen e të vërtetës për tragjedinë e Gërdecit. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, tha se edhe pse ka kaluar një vit nga krimi shtetëror i Gërdecit, kryeministri Berisha dhe qeveria e tij vazhdojnë ende t’i shmangen përgjegjësisë për këtë tragjedi. “Është i paprecedent pozicioni juridik dhe kushtetues i kësaj qeverie, e cila në vend që të mbështesë Prokurorinë dhe Drejtësinë për hetimin dhe gjykimin e drejtë të fajtorëve të këtij krimi, ka një vit që është pozicionuar kundër hetimit, kundër Prokurorisë, kundër Kushtetutës dhe ligjit në vend. Qeveria është e rreshtuar tashmë në anën e shkelësve të ligjit dhe të korrupsionit qeveritar. Qeveria e Sali Berishës nuk ka dashur e as do që Drejtësia të hetojë dhe të gjykojë. Pa pikën e turpit Sali Berisha ka ushtruar presion të hapur dhe publik ndaj të gjithë atyre punonjësve të ligjit që kanë guxuar dhe guxojnë të hetojnë krimet dhe korrupsionin e qeverisë. Kjo është arsyeja se përse çdo ditë, orë e minutë sulmohen në mënyrë të paprecedentë Prokuroria dhe gjykatat”, - tha Manjani, i cili shprehu mbështetjen e Partisë Socialiste ndaj Prokurorisë së Republikës.
Balla: “Qeveria po saboton procesin e integrimit...”
Partia Socialiste akuzon qeverinë se po shmang dhe po injoron kritikat e bëra nga Komisioni Europian, që janë evidentuar në progres-raportin e vitit 2008. Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se kryeministri Berisha u është shmangur kritikave të këtij raporti, i cili duhej të ishte sjellë që në muajin shkurt, për t’u diskutuar në Kuvendin e Shqipërisë. “Qeveria duhet të kishte ardhur në Kuvend brenda muajit shkurt, sipas ligjit për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, për të informuar Kuvendin, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në këto katër vjet. Kuvendi i Shqipërisë, për shkak të papërgjegjshmërisë së Sali Berishës dhe axhendave turistike të Jozefina Topallit, është shmangur plotësisht nga roli drejtues që duhet të ketë në procesin e integrimit. Është sabotim i drejtpërdrejtë i procesit të integrimit fakti që qeveria nuk ka bërë asnjë hap në adresimin e këtyre prioriteteve. Është mungesë e theksuar serioziteti në marrëdhënien tonë kontraktuale me Bashkimin Europian, që qeveria, sot, katër muaj pas raportit, nuk ka raportuar në Kuvend dhe nuk përgatitur një plan pune. Është mëse e qartë që kjo qeveri nuk duket se ka ndër mend ta bëjë një gjë të tillë edhe në 100 ditët e mbetura”, - tha Balla.
18 Mars 2009